Presidenti Barack Obama dhe ai kubanez Raul Castro shtrëguan duart gjatë shërbesës përkujtimore për ish-udhëheqësin e Afrikës së Jugut, Nelson Mandela.
Ndërsa lajmi bëri xhiron e botës, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ben Rhodes, shpjegoi se “ajo çfarë ndodhi nuk ishte aspak e planifikuar”. Sipas tij, dy udhëheqësit nuk kishin shkëmbyer asnjë fjalë dhe nuk kishte pasur asgjë më shumë se një përshëndetje të thjeshtë.
Pas shtrëngimit të duarve, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se administrata e Obama-s ka “shqetësime të thella” për të drejtat e njeriut në Kubë.
Republikanët në Capitoll Hill e dënuan shtrëngimin e duarve, ndërsa kongresistja e Floridës, Ileana Ros-Lehtinen, e njohur për qëndrimet e saj të ashpra ndaj qeverisë së Castro-s, tha: “A mund t’i themi popullit kuban, që jeton nën një regjim shtypës, se, pavarësisht shtrëngimit të duarve, politika e Shteteve të Bashkuara ndaj një diktature të pamëshirshme dhe sadiste nuk është dobësuar”.
Qeveria kubaneze tha se xhesti mund të tregojë “fillimin e fundit të agresioneve amerikane”. Shtetet e Bashkuara shkëputën lidhjet diplomatike në vitin 1961, kur Fidel Castro iu bashkua Bashkimit Sovjetik në Luftën e Ftohtë.
Presidenti i fundit amerikan, që ka shtrënguar dorën e një udhëheqësi kubanez, ka qenë Bill Clinton, i cili përshëndeti Fidel Castro-n në vitin 2000, gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Presidenti Obama ka lehtësuar kufizimet ndaj kubano-amerikanëve që udhëtojnë drejt ishullit, si dhe remitancat e pjesëtarëve të familjeve në të dy vendet. Por, gjërat ndryshuan pas arrestimit dhe burgosjes në Kubë të një kontraktori amerikan.
64-vjeçari Alan Gross u arrestua katër vite më parë, kur – në kuadër të një projekti – po përpiqej t’i garantonte internet një bashkësie të vogël hebraike në Kubë. Në katërvjetorin e arrestimit të tij, ai i kërkoi presidentit amerikan të ndërhynte personalisht për ta liruar.
Top Channel