
Presidentja e Koresë së Jugut paralajmëroi se marrëdhëniet me veriun komunist mund të ashpërsohen, pas spastrimit që diktatori Kim Jong-un është duke realizuar në radhët e drejtuesve politikë dhe partiakë.
Ndërsa dënoi këtë spastrim, të konsideruar si “akti i radhës në mbretërinë e terrorit”, Park Geun-hye konsideroi ish-numrin dy të arrestuar regjimit, Chang Song-thaek si një prej figurave më moderatore të politikës koreanoveriore.
Burri i hallës së Kim Jong-un dhe një prej komunistëve më të vjetër e nderuar të vendit, Song-thaek u arrestua në sallën e Parlamentit më parë gjatë javës.
Ish-zëvendëskryetari i Komisionit Kombëtar të Mbrojtjes dhe ish-bashkëpunëtori më i ngushtë i Jong-un dhe babait të tij Jong-il, Thaek akuzohet se është spiun i shumëfishtë, se ka organizuar një skemë korruptive dhe se jeton një jetë të degjeneruar, duke abuzuar me alkoolin, drogën dhe duke mbajtur disa të dashura.
Këto akuza janë të dënueshme me vdekje në Korenë e Veriut dhe disa raportime thonë se 67-vjeçari tashmë mund të jetë ekzekutuar.
“Korea e Veriut është duke u konfirmuar si një mbretëri terrori, duke organizuar një spastrim në shkallë të gjerë, nëpërmjet të cilit lideri Kim Jong-un shpreson të konsolidojë pushtetin e tij. Si rrjedhojë, marrëdhëniet midis dy vendeve tona mund të bëhen shumë më të paqëndrueshme në të ardhmen”, paralajmëroi presidentja Geun-hye.
Top Channel