Juventus për fitore në ‘ferrin turk’

10/12/2013 00:00

Katër grupet e para, A, B, C dhe D luajnë ndeshjet e fundit të fazës në grupe në Ligën e Kampioneve.

Vëmendja është përqendruar në grupin B, në Stamboll, aty ku Gallatasaraj pret Juventusin. Bardhezinjëve u mjafton barazimi për të kaluar më tej, ndërsa humbja do të kualifikonte skuadrën turke.

Kampionët e Italisë në konferencat për mediat janë shprehur optimistë për takimin. Trajneri Conte tha se skuadra do të luajë për të fituar takimin, ndërsa kapiteni Buffon minimizoi faktorin fushë. “Tifozët nuk shënojnë”, tha ai.

Ndeshja tjetër në këtë grup është ajo mes Real Madrid dhe Kopenhagen.

Në grupin A, Manchesteri që ka zgjidhur cështjen e kualifikimit, synon të mos humbë në fushën e tij përballë Shaktarit, për të ruajtur vendin e parë në grup, ndërsa Leverkuseni do kërkojë fitoren në Spanjë përballë Sociedadit me njërin sy nga “Old Trafford” me shpresën që Shaktar nuk do marrë 3 pikë.

Në grupin C, Benfika dhe Olimpiakosi luajnë për biletën e dytë që të kualifikon për në fazën tjetër. Portugezët presin në fushën e tyre PSG-në e kualifikuar, ndërsa grekët presin në Athinë Anderlehtin. Grupi kryesohet nga PSG me 13 pikë, ndjekur nga Benfika dhe Olimpiakos me nga 7 pikë, Anderleht mbyll tabelën me 1 pikë.

Ndeshjet e grupit D janë thjesht për statistikë. Llogaritë e vetme të hapura ende në këtë grup janë për vendin e parë dhe për vendin e tretë që të con në Ligën e Europës. Vendi i parë do të përcaktohet në Gjermani ku Bajerni kryesues i grupit me 15 pret Manchester City-n që ndjek me 12 pikë. Ndërkohë, në Çeki, Plzen pret CSKA-në e Moskës. Rusët duhet të shmangin humbjen për të siguruar vendin e tretë.

Top Channel