Një kamion, i cili transportonte karburant në veri të Egjiptit, është përplasur me një mini-bus dhe është përfshirë nga flakët, duke lënë të paktën 13 viktima, bëjnë të ditur autoritetet.
Zyrtarët thanë për agjencinë e lajmeve AFP se përplasja e së hënës, nga e cila mbetën të plagosur edhe disa prej pasagjerëve të mini-busit, ndodhi në një urë të qytetit të Kafr El-Zayat, në jug të qytetit mesdhetar të Aleksandrisë.
Ngjarja ndodhi pasi një prej gomave të kamionit plasi dhe mjeti u përmbys përpara se të godiste mini-busin e më pas të shpërthente, njoftojnë zyrtarët.
Aksidenti është ndër më të këqinjtë, që kur një tren u përplas me një tjetër mini-bus dhe një kamion në kryqëzimin hekurudhor më 18 nëntor, duke vrarë atëherë 27 persona.
Egjiptianët ankohen prej shumë kohësh se autoritetet kanë dështuar të përballen dhe të gjejnë zgjidhje për problemet e transportit, teksa rrugët dhe linjat hekurudhore vuajnë nga mungesa e mirëmbajtjes.
Në janar, 17 persona ndërruan jetë kur një tren, që transportonte rekrutë doli nga shinat, ndërsa në nëntor të vitit 2012, 47 nxënës shkolle u vranë kur një tjetër tren u përplas me autobusin e tyre.
Ministri i Transporteve dhe krerët e autoriteteve hekurudhore u detyruan të jepnin dorëheqjen për shkak të atij aksidenti, për të cilin u akuzua operatori që sinjalizonte kalimin e trenit, pasi e kishte zënë gjumi gjatë detyrës së tij.
Qeveria formoi një panel hetimor, por ashtu si tragjeditë e ngjashme të së shkurës, shumë pak dritë u hodh mbi detajet e incidentit dhe ende shumë pak bëhet për t’i shmangur të tilla ngjarje.
Në tragjedinë më të rëndë hekurudhore të Egjiptit, trupat e më shumë se 360 pasagjerëve u rikuperuan nga një tren, i cili u përfshi nga flakët në vitin 2002.
Top Channel