Champions, bora shtyn Galata-Juve për sot

10/12/2013 22:50

Asnjëri prej dy ekipeve, Galatasaray apo Juventus, nuk e kanë përcaktuar ende fatin e tyre për raundin e 1/16-ave të Champions League.

Sfida decizive e Stambollit është ndërprerë zyrtarisht në minutën e 31, për shkak të reshjeve të dendura të borës, që mbuluan me një “vello” të bardhë stadiumin e turqve, gjë që e bëri të pamundur zhvillimin normal të ndeshjes.

Dy skuadrat, në momentin e vendimit të gjyqtarit Proença, ndodheshin në barazim 0-0 me pak raste për shënim nga të dyja palët. Megjithatë, siç dyshojnë mediat italiane, duhet të ketë diçka më të madhe, që ne qeniet njerëzore nuk mund ta kuptojmë. Për të tretën herë në po kaq sfida, Galatasaray-Juventus është shtyrë.

Këtë herë ka qenë bora, shkaku që prishi planet e Mancini-t dhe Conte-s, por edhe të UEFA-s që do të duhet të studiojë me shpejtësi dhe gjakftohtësi një plan emergjent.

Edhe në vitet 1998 dhe 2003 ka pasur probleme, të cilat kanë penguar zhvillimin normal të ndeshjeve në Turqi në datën e paracaktuar.

Më 25 nëntor 1998, ndeshja u shty për rastin “Ocalan”, terroristit turk të mirëpritur nga Italia. Ndeshja atëherë u zhvillua një javë më pas.

Ashtu si dhe në 2003, kur për shkaqe sigurie, pas atentateve që kishin prekur kryeqytetin turk, ndeshja u spostua nga 25 nëntori për në javën pasardhëse, por jo më në Turqi, por në Dortmund.

Sipas vendimit zyrtar të UEFA-s, se ndeshja mes Galatasaray-t dhe Juventus do të zhvillohet të mërkurën (sot) në orën 14:00. Pritet që ndeshja të rifillojë nga minuta e 31 dhe të ketë 5 minuta shtesë.

Në ndeshjen tjetër të grupit B, Real Madrid fitoi 2-0 në transfertën ndaj Kopenhagenit me gola të shënuar nga Modriç dhe Cristiano Ronaldo, teksa portugezi humbi edhe një penallti në minutat e fundit të takimit. Madrilenët janë i vetmi ekip i kualifikuar nga ky grup, në pritje të ndeshjes së shtyrë mes Galatasaray-t dhe Juventus.

Në ndeshjet e tjera, kampionët në fuqi të Bayern Munchen kanë pësuar humbjen e parë në këtë sezon të Champions-it, duke u mundur 3-2 nga Manchester City në “Allianz Arena”, ndeshje e vlefshme për grupin D. Bavarezët kaluan në avantazh të dy golave, me Muller dhe Gotze, ndërsa David Silva shkurtoi në pjesën e parë, kurse Kolarov e Milner përmbysën rezultatin në pjesën e dytë. Gjithsesi, Bayern ruan vendin e parë në grup, edhe pse me 15 pikë, po aq sa City. Victoria Plzen kualifikohet për në Europa League, pasi mposhti 2-1 CSKA-në e Moskës.

Në grupin A, Manchester United dhe Bayer Leverkusen janë dy ekipet e kualifikuara, respektivisht e para dhe e dyta e grupit, pasi fituan minimalisht 1-0 ndaj Shakhtar Donetsk, në “Old Trafford”, dhe ndaj Real Sociedad, në Spanjë. Autorë golash, Phil Jones për “djajtë” dhe Toprak për “aspirinat” gjermanë. Shakhtar shkon kështu në Europa League.

Në grupin C, Paris SG kishte siguruar kualifikimin më herët, teksa “toleroi” ndaj Benfica-s në Lisbonë, pavarësisht se kaluan të parët në avantazh me anë të Cavani-t. Lima me penallti dhe Gaitan përmbysën rezultatin, për t’i dhënë Benfica-s një fitore, e pamjaftueshme për të siguruar vendin e dytë në grup, por që thjesht sa i konfirmon ata për në Europa League. Kjo, sepse Olympiacos arriti të mposhtte Anderlecht-in, 3-1 në Athinë, ku belgët u ndëshkuan 3 herë me kartonë të kuq.

Top Channel