Artizani shkodran që shndërron llamarinat në karrike eksporti

10/12/2013 00:00

Këto janë karriket më unike që ekzistojnë. Nuk i gjen askund, përveçse në punishten e Artur Camajt, në Shkodër.

Janë konsideruar si vepra të mirëfillta arti, jo vetëm se janë të papërsëritshme, por edhe për shkak të materialit që krijohen. Arturi i ndërton ato me kofanot e makinave të prishura.

I riu ka punuar 12 vjet në Itali, ku ka marrë eksperiencën në fushën e saldimit e këtë zanat vendosi ta ushtrojë në qytetin e tij. Falë talentit që ka, ai shfrytëzon pjesët e makinave që mund të përfundojnë për skrap dhe i kthen ato në një tjetër objekt të përdorshëm.

Më së shumti kujdeset vetë për të gjitha proceset. Nga përzgjedhja e këmbëzave të karrikeve, për modelimin, e deri tek produkti final, i cili mban vulën e duarve të tij.

“Bukuria e këtyre karrikeve është se kurrë nuk mund të dalin dy njësoj. Si formë mund të jenë njësoj, por kurrë nuk mund të jetë njësoj kombinimi i ngjyrave”, shpjegon Arturi.

Nuk është e lehtë të krijosh mbi një objekt i cili e ka përfunduar funksionin. Arturi kalon shumë procese të mundimshme për t’ia arritur qëllimit, por e di se rezultati është i papërsëritshëm.  

“Një punë e tillë është e vështirë, por kur del diçka e bukur, e harron lodhjen”, thotë Arturi.

Janë prodhuar me qindra orendi të tilla metalike, të gjitha kanë për destinacion vetëm tregun e huaj. Andej vijnë porositë për sasi shumë të mëdha karrikesh. Dritan Mehmetaj, një prej shokëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, tregon me krenari për punën e bërë: “Këto janë karrike artistike. Ne i çojmë në Francë e nga atje shpërndahen në Amerikë apo Kanada. Jam krenar për këtë.”

Vetëm para një muaji, Arturi ka nisur drejt Parisit mbi 200 copë karrike artizane. Për të nisur punën sërish ai duhet të presë porosinë e radhës nga jashtë vendit, atje ku tregu ka mirëpritur dhe inkurajuar këtë talent.

Top Channel