Parlamenti i Afrikës së Jugut zhvilloi një seancë të jashtëzakonshme në nderim të Nelson Mandelës, ikonës së luftës kundër Aparteidit, i cili ndërroi jetë të enjten e kaluar në moshën 95-vjeçare, pas një sëmundjeje në mushkëri, duke shkaktuar pikëllim në mbarë botën.
Seanca nisi mbrëmjen e së hënës në Cape Town, me paralajmërimin se anëtarët e familjes së Mandelës ishin të pranishëm në galerinë e institucionit.
Kgalema Motlanthe, zv/president i Afrikës së Jugut, nisi punimet me një fjalim, duke përshkruar atë se si influenca e Mandelës në Afrikën e Jugut dhe kudo në botë shkaktoi një “ndienjë gjithëpërfshirëse pikëllimi” pas vdekjes së tij.
Motlanthe tha se “ai tashmë i përket të gjithë njerëzimit. Idealet e Mandelës kanë ‘pikturuar’ fytyrën e Tokës”.
E hëna shënoi ditën e dytë të javës përkujtimore ndaj Mandelës në Afrikën e Jugut, ku më shumë se 70 liderë botërorë, shumë prej tyre të mbyllur prej hasmërive, do të takohen për të nderuar fituesin e çmimit Nobel për Paqe, thanë zyrtarët të hënën.
Të martën, 80 mijë në “Soccer City” dhe 91 krerë shtetesh
Ndër më kryesorët, presidenti amerikan Barack Obama, ai i Kubës Raul Castro, ai i Zimbabves Robert Mugabe, dhe kryeministri britanik David Cameron, do të jenë mes pjesëmarrësve në transferimin e arkëmortit të tij gjatë së martës në stadiumin e Johanesburgut, “Soccer City”.
Përllogariten rreth 80 mijë vajtues të jenë në stadium, arena ku u zhvillua dhe finalja e Kupës së Botës 2010, një turne që Afrika e organizonte për herë të parë dhe ku Mandela, i cili loboi fuqishëm për këtë organizimin nga Afrika e Jugut, pati shfaqjen e tij të fundit publike.
“E gjithë bota do të vijë në Afrikën e Jugut”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Clayson Monyela, duke hedhur poshtë shqetësimet mbi logjistikën dhe sigurinë e një eventi kaq madhështor, të organizuar vetëm 5 ditë pas njoftimit.
Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, do të jetë gjithashtu i pranishëm, – tha Monyela, – duke rritur kështu shanset e një takimi kokë-më-kokë me Obamën. Gjithsesi, emri i Rouhanit nuk ishte në listën fillestare zyrtare të të pranishmëve.
Siguria, snajperët marrin nën kontroll situatën
Pjesa kryesore e planit logjistik bazohet në organizimin e Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut. Edhe pse zyrtarë nga Pretoria refuzuan të flasin rreth një marrëveshjeje për varrimin e Mandelës përpara vdekjes së tij, përgatitjet janë ideuar prej vitesh.
“Sigurisht, ne nuk po nisim nga zero, sa i përket organizimit”, tha Monyela. “Kemi një sistem që futet në lojë sa herë që kemi evente të kësaj shkalle”.
Duke qenë se vendin pritet ta vizitojnë 91 krerë shtetesh, siguria do të jetë tejet e lartë. Edhe pse nuk jepen saktësisht numri i oficerëve të policisë, trupave ushtarakë, apo masave paraprake për të mbajtur stadiumin larg çdo mundësie për të futur armë apo eksplozivë, “ne ju sigurojmë se janë marrë të gjitha masat e nevojshme. Është pikërisht kjo gjë, që u jep besim lidershipit botëror, të cilët do të vijnë në vendin tonë në një moment kaq të rëndësishëm për kombin tonë”, theksoi Ministri në Presidencë, Collins Chabane.
Përveç Obamës, edhe 3 ish-presidentë amerikanë, – Jimmy Carter, Bill Clinton dhe George W. Bush, – do të jenë gjithashtu në Johanesburg.
Mungojnë krerët më të lartë të Izraelit, jo të Palestinës
Ndërkohë, liderët më të lartë të Izraelit do të mungojnë në ceremoninë e funeralit të Nelson Mandelës, të cilin palestinezët e kanë parë gjithnjë si idhull e bashkëluftëtar të tyre në betejën për liri.
As kryeministri Benjamin Netanyahu, por as presidenti Shimon Perez nuk do të jenë në ngjarjen e së martës në “Soccer City” të Johanesburgut, duke cituar kostot dhe arsyet shëndetësore si shkak për mungesën e tyre.
Peres, 90 vjeç, është këshilluar nga mjekët e tij të mos e ndërmarrë një udhëtim të tillë. “Presidenti po merr veten nga një situatë gripale dhe mjekët e kanë këshilluar të mos udhëtojë”, tha një zëdhënës i Peres.
Netanyahu e lavdëroi Mandelën si “një luftëtar të lirisë, i cili refuzoi dhunën”, edhe pse lufta e Kongresit Kombëtar Afrikan ndaj Aparteidit rezultoi fillimisht e dhunshme, gjë që bëri që Mandela të etiketohej fillimisht si një “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara, aleati më i madh i Izraelit në Lindjen e Mesme. Mandela u hoq nga lista e terroristëve prej SHBA-ve vetëm në vitin 2008.
Ndërsa palestinezët, të cilët e konsiderojnë liderin e parë me ngjyrë të Afrikës së Jugut si një inspirim në konfliktin me “Aparteidin” izraelit, do të përfaqësohen nga presidenti Mahmoud Abbas.
Top Channel