NBA, rikthehet Kobe Bryant

09/12/2013 00:00

Kobe Bryant është rikthyer të luajë për Los Angeles Lakers pas 8 muajsh dhe shënoi vetëm 9 pikë në humbjen e skuadrës së tij 106-94 ndaj Toronto Raptors.

Ylli i skuadrës kaliforniane pësoi një dëmtim të rëndë sezonin e kaluar në tendinën e Akilit dhe kjo ishte ndeshja e tij e parë që nga ajo kohë, të cilës i shtoi 8 topa në tabelë dhe 4 asist në 28 minuta lojë.

“Isha krejtësisht jashtë ritmit, por është fillimi dhe jam i kënaqur me një fillim të tillë. Duhet të përshtatem me lojën pasi hera e fundit që kam ndenjur 8 muaj pushim ka qenë koha kur isha ende tek barku i nënës”, tha pas takimit Kobe Bryant.

Kjo ndeshje ka bërë të kuptohet se “Mamba e Zezë” ka nevojë për shumë punë për t’u rikthyer në formën e mëparshme. I mungon shpërthimi, shpejtësia dhe aftësia për të sulmuar koshin. Kobe zgjodhi të pasonte në situata që normalisht do të kishte zgjedhur pikët personale.

“Nuk është normale të mendosh që Kobe do të kthehej menjëherë në formën e duhur”, tha trajneri i Los Angeles, Mike D’Antoni.

Top Channel