Brazil, presidentja dënon dhunën

09/12/2013 20:10

Presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff, dënoi ashpër dhunën e regjistruar midis tifozerive kundërshtare, në ndeshjen e zhvilluar të dielën midis Atletico Paranaenses dhe Vasco de Gamës.

Në një ndeshje ku fitorja e vendasve sanksionoi rënien e De Gamës në kategorinë e dytë braziliane, përleshjet masive lanë tre të plagosur në gjendje kritike dhe dhjetëra të lënduar e të arrestuar të tjerë.

“Skenat e dhunës në ndeshjen midis Atleticos dhe Vaskos janë të patolerueshme. Kjo dhunë na godet të gjithë ne që besojmë tek futbolli, tek pasioni për këtë sport, por edhe tek toleranca në shoqërinë e shtetin tonë. Brazili është një shtet që jeton me futbollin dhe që nuk do të bashkëjetojë me dhunën”, deklaroi presidentja.

“Kam folur me ministrin e Brendshëm, Aldo Rebelo dhe ai po e ndjek nga pranë këtë situatë. Nëse do të nevojitet një prezencë e shtuar e policisë nëpër stadiume, atehëre shteti do të përgjigjet, ndërsa po punohet për arrestimin e aktorëve kryesorë të asaj ngjarje të shëmtuar”, shtoi presidentja.

Brazil, përleshje masive në stadium

Qindra tifozë që rrihen me njëri-tjetrin, të shtëna nga ana e policisë në shkallët e stadiumit, lojtarë që qajnë dhe ndërhyrja e helikopterit që zbret në fushë për të marrë një të plagosur rëndë.

Kjo është kronika e një ndeshjeje futbolli, më saktë e ndeshjes Atletico Paranaense-Vasco da Gama, e vlefshme për javën e 38 dhe të fundit të kampionatit brazilian. Atletico luftonte për hyrjen në Libertadores, ndërsa Vasco për t’i shpëtuar rënies nga kategoria.

Në fund, pas një ndërprejeje prej 70 minutash, Vasco humb takimin 5-1 dhe zbret një kategori më poshtë për herë të dytë në histori. Gjithsesi, rezultati kalon në plan të dytë.

Ndeshja ishte 1-0 për Atletico kur në minutën e 17 të pjesës së parë tifozët nisin të përleshen me njëri-tjetrin. Nuk ka forca policie në Joinville dhe arbitri detyrohet të pezullojë ndeshjen, ndërkohë që në tribunë shikohen skena barbare.

Grupet e tifozerive përleshen në një sektor të boshatisur të stadiumit ku përparojnë dhe tërhiqen sipas rastit. Më keq e pësojnë ata që gjatë tërheqjes gjenden në inferioritet numerik dhe goditen me shkelma në kokë pa mëshirë nga kundërshtarët.

Me të mbërritur në stadium, forcat e rendit nisin të qëllojnë në ajër për të shpërndarë tifozët. Situata më në fund qetësohet dhe 3 tifozë dërgohen në spital në gjendje të rëndë.

Zëdhënësi i Policisë Militare, Adilson Moreira, thotë se përgjegjësia për sigurinë brenda stadiumit ishte e një agjensie private dhe për këtë arsye forcat e rendit ishin limituar të kontrollonin zonën jashtë stadiumit.

Top Channel