Tiranë, rreziku nga cianuri

08/12/2013 17:50

Bashkia e Tiranes i kërkon qytetarëve, që të mos frekuentojnë më tregun tek ish-uzina “Dinamo”, ku shiten fruta dhe perime, pasi një ditë më parë Ministria e Mbrojtjes ka zhgroposur 700 kg cianur, pa marrë parasysh riskun e ndotjes së ambientit nga ky helm.

“Bashkia e Tiranës kërkon në mënyrë të menjëhershme nga autoritetet përkatëse të kryejnë analizat, kqyrjet dhe verifikimet e nevojshme, për të vlerësuar ndikimin mjedisor të zhvendosjes së lëndës helmuese në kushte amatoreske. Ne u kërkojmë gjithashtu qytetarëve të Tiranës të ndalojnë frekuentimin e këtij tregu deri në verifikimin e ndikimit që cianuri ka shkaktuar në këtë treg. U kërkojmë organeve përkatëse të nisin hetimet për përgjegjësit e këtij akti kriminal, që vuri dje në rrezik jetën e qytetarëve të Tiranës”, tha Enno Bozdo, nënkryetar i Bashkisë Tiranë.

Bozdo shton se nga cianuri mund të jenë kontaminuar produktet, por ndërkohë rrezikohen tregtarët dhe qytetarët që blejnë atje. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës e konsideron zhgroposjen e cianurit si një akt kriminal, pasi nuk u respektuan rekomandimet e dhëna nga Ministria e Mjedisit.

“Zhgroposja dhe zhvendosja në mes të ditës e rreth 750 kg lëndë helmuese cianur nga tregu i uzinës Dinamo, që është dhe tregu ushqimor më i frekuentuar i kryeqytetit është një papërgjegjshmëri e madhe dhe përbën një akt kriminal. Larg të gjitha protokolleve dhe standardeve të miratuara, si dhe kundër rekomandimit të vet Ministrisë së Mjedisit, Ministria e Mbrojtjes ka zhvendosur këtë lëndë shumë të rrezikshme helmuese dhe kontaminuese gjatë kohës që tregu ka pasur nivelin më të lartë të frekuentimit nga qytetarët”, shtoi Enno Bozdo.

Ministria e Mjedisit i kishte rekomanduar Ministrisë së Mbrojtjes se për zhgroposjen e sasisë së cianurit duhej mbyllur më parë tregu i fruta-perimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA