Historia e patreguar e gazsjellësit “TAP”

08/12/2013 11:05

Prof.Dr.Bashkim BAHOLLI – Opinioni shqiptar është informuar për projektin madhor të Gazsjellësit Transadriatik TAP. Duke qenë se trajtimi i vlerave të projektit është orientuar në fushën e propagandës banale, joprofesionale, shumë herë politike dhe përsëri joprofesionale na duhet dhe e ndiejmë përgjegjësi morale, që të paraqesim përpara atij opinioni të vërtetën mbi projektin dhe ndikimin e pritshëm në jetën ekonomike të vendit tonë.

Le të shënojmë në fillim, edhe pse nga shumëkush është e njohur, që rrjedha e proceseve dhe operacioneve për të arritur në një rezultat të mirëpritur të projekteve të veprave të të gjitha dimensioneve përcaktohet në dy faza. Ne fazën e parë formulohet ideja qendrore, përpunohet projekti i mundësisë, më tej projekti inxhinerik, projekti i detajuar inxhinerik, projekti mjedisor dhe projekti financiar. Në fazën e dytë veprimtaria merr kryesisht karakter informativ dhe administrativ, të njohjes së vlerave ekonomike dhe biznesore të projektit, të shtrirjes së tij, të gjeopolitikës, të marrëveshjeve, të kontratave të propagandës e të tjera.

Kuptohet që faza e parë është shumë më e rëndësishme. Ajo është faza e domosdoshme dhe deri e mjaftueshme e fatit të projektit, e cila kërkon potencial projektues, teknik, teknologjik, eksperiencë, largpamësi, vullnet dhe mbi të gjitha konceptim të besueshëm dhe të guximshëm.

Faza e dytë, mund të gjejë vend vetëm mbi bazë të fazës së parë. Të gjitha argumentet në këtë fazë vijnë nga saktësia e të gjitha detajeve ideore, projektuese, ekonomike, sociale dhe politike të fazës së parë. Politika ndikon, por nuk zgjidh. Ajo kërkon e mbështetet në argumente ekonomike dhe kur merr një prirje në radhë të parë vë interesat e vendit ose dhe ndoshta të vetat.

Shikuar me këtë optikë, mendoj se është në nderin e vendit tonë të njohë, të respektojë, të çmojë të nderojë dhe të ruajë në kujtesën e tij iniciatorët e projektit, punën e tyre të madhe, qëndrimin dinjitoz të tyre dhe mbi të gjitha këto, qëndrimin pa ekuivok që Gazsjellësi do të kalojë nëpër Shqipëri. Qëndrim i cili gjente përballë projekte të tjera me të njëjtën ide; të mbartjes së gazit të hapësirave kaspike në Europë, duke anashkaluar Shqipërinë dhe qëndrimin refraktar të disa shteteve dhe kompanive të mëdha europiane. Prandaj, për të mbetur në kujtesën e popullit tonë, dëshiroj të paraqes shkurtazi historinë e procesit.

Nga fundi i vitit 2003, kur në Europë u krijua një klimë e turbullt e balancave energjetike dhe e flukseve të gazit, kompania zvicerane EGL AG konceptoi alternativën e ndërtimit të një gazsjellësi të ri në një gjurmë të veçantë në zonën juglindore të Europës. Më konkretisht, konceptoi gazsjellësin Transadriatik, i cili do të mbartte kapacitete të mëdha gazi (10 deri 20 miliardë metër kub në vit) nga hapësirat kaspike (burimi Shah Deniz II në Azerbajxhan) në rrjetin Europian të gazit (në pjesën e parë nëpërmjet rrjetit ekzistues që përshkon tërë territorin e Turqisë dhe më tej në rreth 520 km nga kufiri Turqi-Greqi nëpërmjet Shqipërisë dhe hapësirës detare, Shqipëri–Itali, në rrjetin italian dhe europian të gazit).

Kalimi nëpër Shqipëri, si njëra nga tri zgjidhjet e mundshme (Greqi – Itali, Greqi-Maqedoni-Shqipëri-Itali dhe Greqi-Shqipëri-Itali),  u definua si më i justifikuari vetëm në sajë të prirjeve pozitive të Kompanisë Zvicerane EGL AG, pjesë e grupit industrial zviceran AXPO AG, të cilës i takon nderimi i veçantë.

Më 17 janar 2005, pas konsultimeve në parim gjatë vitit 2004, Kompania EGL AG paraqiti në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës  kërkesën konsultative për mundësinë e sipërmarrjes së projektit të gazsjellësit transadriatik, i cili do të duhej të kalonte nëpërmjet territorit të Republikës së Shqipërisë.
Në përputhje me ligjin shqiptar, për të ndërmarrë studimin e projektit të gazsjellësit, në muajt shkurt – mars u krijua dhe u regjistrua në Tiranë, Kompania EGL–Albania si degë e EGL–AG, që do të merrte përgjegjësinë e plotë të implementimit të projektit.

Me 14 shkurt 2005 pranë Ministrisë së Ekonomisë u bë zyrtarisht kërkesa për të lejuar vazhdimin e procedurave për realizimin e studimit dhe projektit inxhinierik, sipas kërkesave që përcakton qeveria shqiptare për ta sjellë projektin në nivelin e prezantimit dhe të miratimit në KRRTRSH.

Në prill 2005, Ministria e Ekonomisë njofton zyrtarisht Kompaninë EGL AG dhe EGL Albania për pranimin e idesë së projektit, duke hapur rrugën për të kaluar nga projekti i mundësisë në projektin e plotë e të nevojshëm për të siguruar pozicionimin e qeverisë shqiptare dhe në konkurrim me projektet alternative.
Më 17 qershor 2005, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës i jep Kompanisë EGL – Albania Autorizimin për vazhdim procedure. Menjëherë, në korrik 2005, ministri Doda i drejtohet me një letër z.Piebalgs Andris, komisioner për Energjinë për Europën, me të cilën i prezanton vlerat e projektit për vendin tonë dhe i kërkon mbështetjen e tij në funksionet që kryen.

Në 17 nëntor 2005, Banka Botërore, mbi bazë të kërkesës së EGL–AG jep vlerësimin e saj pozitiv për projektin TAP.
Pas kësaj korrespondence operative dhe të plotë administrative, Kompania EGL me një angazhim të veçantë dhe në një kohë rekord përcaktoi të gjitha modulet e një programi shumë të gjerë studimor dhe projektues për ta paraqitur projektin në nivelin që kërkon eksperienca më e përparuar botërore dhe prej këtej për ta paraqitur në instancat konsultuese, njohëse dhe vendimmarrëse që përcaktojnë suksesin e pritshëm, duke përfshirë edhe institucionin e KRRTRSH të Shqipërisë dhe të institucioneve analoge të vendeve ku do të kalojë gazsjellësi.
Kështu, radhazi u realizuan: projekti i mundësisë (fizibilitetit), projekti inxhinierik, projekti mjedisor, projekti i detajuar i zbatimit dhe projekti i prognozës financiare.

Për mua, që kam ndjekur çdo moment të punës për të arritur deri këtu ka qenë një nder dhe një çmim i madh shpirtëror, emocional, shkencor, inxhinierik dhe mbi të gjitha moral. Por ajo që nuk arrij të shpreh për madhështinë e punës së kryer është dinamika, sakrifica, vlera projektuese, shpirtgjerësia, modestia e specialistëve të kompanisë EGL-AG (tani AXPO AG): Joachim Conrad, ideatori primar dhe montuesi dhe koordinatori i projektit, pionier i skalitur për vepra të mëdha për nga dijet dhe cilësitë organizative. Hans Schulz, drejtor i kompanisë EGL-AG, Heiz Karrer, drejtor i Axpo group, Robert Klein e Markus Brokhof, anëtarë të bordit të kompanisë, të ngarkuar për problemet e energjisë elektrike dhe të gazit në Europën Juglindore, dhe Gerd Moser, drejtues i ngarkuar për probleme teknike. Këta janë eksploratorë të idesë dhe të shtirjes së projektit të lidhur me të gjithë problematikën, që nga projektimi deri te detajet e atij procesi, te takimet në të gjitha nivelet me përfaqësuesit e qeverisë shqiptare, të institucioneve, të pushtit lokal dhe përtej Shqipërisë, me përfaqësues të lartë të politikës dhe vendimmarrjes në Greqi, Itali, Bruksel, Azerbajxhan në Shtetet e Bashkuara dhe kudo ku kërkohej e duhej.

Si rezultat, më 12 korrik 2007, KRRTRSH miratoi projektin duke i hapur rrugë krijimit të komisioneve negociatore për hartimin e Kontratës së Koncesionimit. Ngjarje vërtet e madhe, në të gjitha drejtimet; ekonomike, sociale, kulturore, politike. Shkencore dhe projektuese.

Më ngacmon për çdo ditë, për çdo moment përgjegjësia për të gjetur rrugën dhe çmimin e këtij kontributi. Qeveria shqiptare të angazhohet për këtë se është në nderin tonë si komb vlerësimi i tyre, vlerësimi i kontributit të madh dhe po aq të moralshëm për t’i dhënë Shqipërisë tonë nderin e portës së energjisë së botës lindore në Europën e Bashkuar, vendin e natyrshëm të kombit tonë. Duhet pra një dekret, të themi, për kontributin e paçmuar të dhënë për gazsjellësin TransAdriatik dhe një motivacion.

Bashkimi, menjëherë, pasi gjithçka u vu në rrugë të mbarë, në projektin TAP i kompanisë së madhe norvegjeze Statoil, me kontribut të ndare 50% me 50%, në këto kushte erdhi si një dokument dëshmues i vlerave të padiskutueshme të projektit, i afirmimit të tij në të gjitha planet e sipërmarrjes së objekteve të këtyre dimensioneve.

Më tej ecuria e projektit po përcaktohej nga marrëdhëniet e reja gjeofinanciare dhe me implementimin e tij po merrej një grup funksionarësh administrativë, që po përcaktonin në mënyrë ekzekutive hapat në vazhdim.
Për mua, deri këtu përcaktohet vlera madhore e projektit… dhe më tej? Përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë kanë përgjegjësinë të japin çfarë është bërë dhe cilat do të jenë vlerat e projektit për ekonominë e Shqipërisë, punësimi i mundshëm, shtrirja rajonale, investimet reale e shumë të tjera, që janë folur e përfolur gjatë fushatës. Nuk do të jetë në nderin e qeverisë që populli shqiptar të mësojë të vërteta që nuk do t’i dëshironte. Pse kur një vepre të madhe i shtohen bishta të sajuar, si punësime masive, investime disamiliardëshe, gazifikim të vendit, ajo dëmtohet dhe, pse jo, zhvlerësohet.

Marre nga gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA