Maxarri: Jemi në vitin zero

07/12/2013 00:00

Mentaliteti është fjala kyçe e Valter Maxarrit. Interi i tij pret të dielën Parmën pas dy barazimeve radhazi në kampionat…dhe tashmë flitet për të ardhmen dhe investimet e mundshme të Thohir për të përforcuar skuadrën, që nga janari.

Por trajneri i zikaltërve zbret me këmbë në tokë dhe kërkon të përqendrohet tek puna e tij për “riparimin” e defekteve të së tashmës të organikës së klubit.

“Përforcimet? Varet nga objektivat e shoqërisë. Duhet të mbyllim njëherë këtë vit dhe në janar të shohim se cfarë mund të bëhet, duke patur parasyh edhe rikthimin e lojtarëve të dëmtuar. Sigurisht në këtë gjendje që është skuadra nuk mund t’i fitojë të gjitha takimet. Puna ime është përqëndruar në krijimin e mentalitetit të duhur të skuadrës.Tre vjet më parë ky klub fitonte gjithcka, por tashmë jemi në vitin zero, ta nisim nga e para”, tha Maxarri.

Lidhur me objektivat e merkatos, mes të përfolurve është edhe Lavezzi, sulmuesi argjentinas që luan me PSG-në. Maxarri thotë se vite më parë ka patur kontakte me të dhe se ende vazhdon të ruajë një raport të mirë. Ai tërthorazi pohon se argjentinasi është njëri prej objektivave kur thotë: “është një lojtar dhe njeri i jashtëzakonshëm”.

Top Channel