Kukës, tifozët sulmojnë gjyqtarin

07/12/2013 00:00

Një protestë e ekzagjeruar dhe e panevojshme e trajnerit Naxhi Shensoj, në fund të ndeshjes Kukësi-Skënderbeu solli irritimin e 2 tifozëve kuksianë, të cilët u futën në fushë për të qëlluar gjyqtarët e ndeshjes.

Ata vunë në vështirësi për disa minuta forcat blu, të cilat për çudi s’bënë gjë tjetër veçse i morën me të mirë tifozët.

Ndeshja mes këtyre dy ekipeve, e cila u luajt brenda rregullave të fair play, përfundoi në barazim 1-1, një rezultat që nuk ka ndryshuar asgjë përsa i përket renditjes së këtyre dy skuadrave.

Rezultati i kësaj sfide u zhbllokua në minutën e ‘87, kur Ribaj shndërroi në gol një pasimin milimetrik të kapitenit Shkëmbi.

Por korçarët nuk arritën t’i gëzoheshin këtij goli dhe të ruanin fitoren deri në fund, pasi Popoviç barazoi shifrat dhe vulosi rezultatin përfundimtar të kësaj ndeshjeje.

Ndërkohë, pas 5 humbjeve radhazi, më në fund Tirana ka arritur të marrë 1 pikë pas barazimi 1-1 me Vllazninë. Një ndeshje e dobët e këtyre dy skuadrave në “Qemal Stafa”, të cilave vetëm ngjyrat e fanelave u kanë mbetur nga lavdia që kanë në futbollin shqiptar.

Golin e Vllaznisë e shënoi Hajdari në pjesën e parë, ndërsa atë të barazimit për Tiranën e shënoi Limani në të dytën.

Kukës, ndalohen kryepolici i bashkisë dhe një jurist për dhunën

Ndërkohë, gjatë orëve të mbrëmjes policia e Kukësit ka shoqëruar në ambjentet e saj dy zyrtarë të bashkisë së qytetit në lidhje me incidentin e verifikuar në stadium.

Burime policore lokale njoftojnë se të shoqëruarit janë shefi i policisë bashkiake Edmond Elezi dhe juristi Ermal Elezi, që dyshohet se janë të afërm.

Ishin pikërisht dy zyrtarët që hynë në fushë në fund të ndeshjes me Skëndërbeun e që tentuan të sulmonin gjyqtarin e takimit.

Ndërkohë është shpallur në kërkim edhe një person tjetër, i cili në fund të sfidës ka goditur trajnerin e Skënderbeut, Mirel Josa, moment ky që është kapur nga kamerat e ‘Supersport’. 

Top Channel