Me 284 vota pro, 42 kundër dhe 2 abstenime, Dhoma italiane e Deputetëve aprovoi ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë për projektin e gazsjellësit TAP.
Me këtë votë, që nuk u arrit të bëhej një ditë më parë për shkak të protestave të deputetëve të “Lëvizjes Pesë Yjet”, përfundimisht Italia ratifikon traktatin e nënshkruar në Athinë, më 13 shkurt të këtij viti.
Deputetët e “Lëvizjes Pesë Yjet”, forca politike e kryesuar nga Beppe Grillo, nuk morën pjesë në votim dhe patën përplasje të forta në sallë, ndërsa ata të “Lidhjes së Veriut” dhe të “Partisë e Majta për Ekologjinë dhe Lirinë” votuan kundër.
Pasi të përshkojë Greqinë dhe Shqipërinë, gazsjellësi rreth 800 km i gjatë do të mbërrijë në territorin italian, në zonën e Puglias, më saktë në San Foca, dhe do të kalojë në disa zona përreth.
Qytetarët dhe një pjesë e administratorëve vendorë, që janë shprehur kundër projektit, kanë vendosur të organizojnë takime dhe protesta nga njëra anë, si dhe të kërkojnë mendimin e specialistëve të mjedisit, për t’i paraqitur qeverisë një raport të hollësishëm.
Nga ana tjetër, administratori i deleguar i “TAP Italia”, Giampaolo Russo, shprehu kënaqësinë dhe falënderoi për aprovimin nga ana e Parlamentit italian.
Top Channel