Franca përgatit ndërhyjen në Afrikën Qëndrore

05/12/2013 16:00

Të paktën 16 persona mbetën të vrarë gjatë mbrëmjes së të mërkurës në luftimet që kanë përfshirë Banguin, kryeqytetin e Republikës së Afrikës Qëndrore, ndërsa Franca po përgatit të ndërhyjë në vend.

Sipas raportimeve, kryeqyteti është sulmuar nga grupe të armatosura të presidentit Francois Bozize, i cili u rrëzua nga pushteti prej kryengritësve në muajin Mars.

Gjatë të gjithë 2013-s, Republika e Afrikës Qëndrore, kufi me Çadin, Sudanin, Sudanin e Jugut, Kamerunin, Republikën e Kongos dhe Republikën Demokratike të Kongos ka qenë e përfshirë në një gjendje kaotike që ka destabilizuar të githë rajonin.

Si rrjedhojë, gjatë së enjtes, OKB pritet të votojë mbi nismën franceze, për dërgimin e të paktën 1 mijë trupave në një mision paqeruajtës në vend.

Aktualisht, Franca ka dërguar 400 ushtarë në Republikën e Afrikës Qëndrore, të angazhuar me detyrën e mbrojtjes së shtetasve francezë të pranishëm në shtetin e varfër afrikan.

Më parë gjatë Nëntorit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon paralajmëroi Këshillin e Sigurimit se grupet e armatosura po nxisin një konflikt fetar, duke vënë muslimanët dhe të krishterët kundër njëri-tjetrit.

Ban gjithashtu mbështeti dërgimin e një misioni paqeruajtës të OKB-së, “përpara se kriza të marrë përmasa të paimagjinueshme”.

Republika e Afrikës Qëndrore, një prej vendeve më të varfëra të planetit, ndodhet i zhytur në një situatë të plotë kaotike, që kur kryengritës të armatosur rrëzuan qeverinë e ligjshme në muajin Mars.

Një aleancë e përbërë nga disa grupime rebele e njohur si “Seleka” mundësoi largimin e presidentit Francois Bozize dhe zëvendësimin e tij me komandantin e tyre, Michel Djotodia.

Tashmë në cilësinë e presidentit, Djotodia ka shpërndarë forcat rebele, duke i integruar trupat në ushtrinë e rregullt, pozicion që shumë kryengritës e kanë përdorur për të terrorizuar zona të tëra të vendit nëpërmjet plaçkitjeve, përdhunimeve apo vrasjeve.

Top Channel