Franca ndërhyn në Afrikën Qendrore

05/12/2013 00:00

Franca urdhëroi ndërhyrjen e menjëhershme në Republikën e Afrikës Qendrore me mision mbrojtjen e civilëve.

Vetë presidenti francez, Francois Hollande deklaroi se një kontigjent prej 650 trupash do të ndërhyjnë menjëherë në zonat ku janë regjistruar përleshjet më të forta fetare në këtë shtet të Afrikës, ndërsa shtoi se numri i trupave do të shtohet në varësi të situatës, në ditët në vazhdim dhe ndoshta edhe menjëherë.

Gjatë së enjtes, Organizata e Kombeve të Bashkuara i dha dritën jeshile Francës në ndërhyrjen e saj.

Gjatë të gjithë 2013-s, Republika e Afrikës Qëndrore, kufi me Çadin, Sudanin, Sudanin e Jugut, Kamerunin, Republikën e Kongos dhe Republikën Demokratike të Kongos ka qenë e përfshirë në një gjendje kaotike që ka destabilizuar të githë rajonin.

RAQ, një prej vendeve më të varfëra të planetit, ndodhet i zhytur në një situatë të plotë kaotike, që kur kryengritës të armatosur rrëzuan qeverinë e ligjshme në muajin Mars.

Një aleancë e përbërë nga disa grupime rebele e njohur si “Seleka” mundësoi largimin e presidentit Francois Bozize dhe zëvendësimin e tij me komandantin e tyre, Michel Djotodia.

Tashmë në cilësinë e presidentit, Djotodia ka shpërndarë forcat rebele, duke i integruar trupat në ushtrinë e rregullt, pozicion që shumë kryengritës e kanë përdorur për të terrorizuar zona të tëra të vendit nëpërmjet plaçkitjeve, përdhunimeve apo vrasjeve.

Top Channel