Djali vret babanë e dhunshëm

05/12/2013 22:40

Krimi brenda familjes trondit Fushë Krujën.

Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Krujës, mësohet se mbrëmjen e së enjtes 64-vjeçari Bajram Krashi, nga fshati Tapizë, është kthyer në gjendje të dehur në banesën e tij.

Pasi ka rrahur bashkëshorten, tre vajzat e tij dhe djalin, 64-vjeçari ka marrë thikën dhe ka kapur edhe njërin nga fëmijët e mitur të vajzës së tij të martuar, dhe ka kërcënuar se do ta vriste.

Në këto momente, sipas policisë, djali i tij Ardit Krashi e ka goditur babanë e tij me një çekiç, duke e lënë pa ndjenja.

Më pas i ka lidhur këmbët dhe duart pas shpine, nga frika se ai do rimerrte veten e do hakmerrej.

Ndërsa e ka lënë të atin të lidhur në oborr, familjarët kanë njoftuar policinë, e cila ka ardhur për 15 minuta në vendin e ngjarjes, ku e ka gjetur të vdekur kryefamiljarin.

Policia, pas marrjes në pyetje të familjarëve, arrestoi 19-vjeçarin Ardit Krashi, i cili pranoi autorësinë e krimit, duke deklaruar se e kishte kryer për të mbrojtur nipin, pasi babai i tij, në gjendje të dehur, kishte tentuar ta vriste.

64-vjeçari, sipas policisë, njihej si përdorues alkooli dhe vazhdimisht dhunonte familjen.

Top Channel