Thiago Silva: Spanja, më e mirë se Brazili

03/12/2013 00:00

Thiago Silva, kapiteni i kombëtares së Brazilit, ka deklaruar për ‘L’Equipe’ se “Spanja është skuadër më e fortë” se pesë herë kampionët e Botës.

“Fakti që i mundëm në Kupën e Konfederatave nuk do të thotë se ne jemi më të mirët, por Brazili mbetet Brazil dhe fakti që do e luajmë Botërorin në shtëpi na bën edhe më të fortë”, theksoi qendërmbrojtësi.

Lojtari i PSG mendon se favoritët për fitoren e Kupës së Botës janë Brazili, Spanja, Gjermania, Argjentina dhe Uruguaji: “Të gjithë do të mundohen të na mundin në shtëpi dhe ne duhet të japim maksimumin për të arritur objektivin: ngritjen e trofeut. Nëse do të zhgënjenim në këtë kompeticion, do të trishtonim të gjithë brazilianët.”

Në lidhje me mundësitë që ka për të fituar të paktën një herë në karrierë Topin e Artë, Thiago Silva deklaroi se është thuajse e pamundur: “Jam mbrojtës dhe konkurroj me lojtarë të jashtëzakonshëm si Ribery, Benzema, Messi, Cristiano apo Ibra. Është thuajse e pamundur. Mund ta fitoj vetëm nëse fitoj me Parisin kampionatin francez, Ligën e Kampioneve dhe Botërorin duke shënuar në çdo ndeshje.”

Top Channel