F1, Ross Brawn: Në verë vendos për të ardhmen

03/12/2013 00:00

Inxhineri britanik Ross Brawn, i cili është larguar nga skuderia Mercedes, ka njoftuar se vendimin për të ardhmen e tij në Formulën 1 do e marrë në verë, pas një periudhe pushimi ku do të mendojë gjerë e gjatë.

Në këtë mënyrë, Brawn ka përjashtuar mundësinë për të nisur menjëherë punë tek një tjetër skuderi e Formulës 1.

Javën e kaluar, Mercedesi konfirmoi largimin e Ross Brawn si shef i skuadrës dhe tashmë detyrën e tij do e marrin Toto Wolff dhe Paddy Lowe. Pati zëra për një rikthim të tij tek Ferrari, ku së bashku me Michael Schumacher dhe Jean Todt dominoi për 5 sezone Formulën 1 (2000-2004), por kjo gjë nuk do të ndodhë.

“Nuk e di se çfarë do të bëj. Do të shoh sesi do të shkojnë gjërat në 6 muajt e ardhshëm e më pas do të marr një vendim. Tani do të pushoj dhe verën e ardhshme do të shoh nëse ka ndonjë ofertë të mirë”, tha Brawn për mediat angleze.

Top Channel