Dy terroristë padisin Poloninë në Strasburg

03/12/2013 15:20

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut do të gjykojë dy çështje të ngritura nga dy të dënuar për terrorizëm, të cilët kanë paditur Poloninë për shkelje të të drejtave të tyre njerëzore.

Të dy të arrestuarit u mbajtën në një burg sekret në Poloni, përpara se të transferoheshin në burgun famëkeq të Guantanamos, në Kubë.

Abu Zubaydah dhe një tjetër i dyshuar si anëtar i Al-Kaedës u torturuan dhe u mbajtën të izoluar në burgun polak gjatë viteve 2002-03.

Lajmi u raportua nga e përditshmja polake “Ëiadomosci” dhe një numër mediash të tjera ndërkombëtare.

Një vit më parë, Strasburgu i dha të drejtë Khaled el-Masrit në padinë e ngritur nga Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ku gjithashtu ai i ishte nënshtruar torturës dhe izolimit jashtëgjyqësor gjatë kohës kur merrej në hetim nga agjentë të CIA-s.

Gjykata urdhëroi Shkupin që të paguante një dëmshpërblim prej 60 mijë eurosh ndaj shtetasit libanezo-gjerman.

Të dy të dyshuarit konsiderohen nga Shtetet e Bashkuara si aktivistë të rëndësishëm të Al-Kaedës dhe vazhdojnë të mbahen në burgun e Guantanamos.

Abu Zubaydah, një palestinez, besohet se rregullonte udhëtime të xhihadistëve besnikë të Osama bin Ladenit, përfshi grupit të përsonave që realizuan sulmet e 11 Shtatorit në SHBA.

I dyshuari tjetër i çështjes është Abd al-Rahim al-Nashiri, një shtetas saudit, i cili dyshohet të ketë organizuar sulmin e vitit 2000 mbi një luftanije amerikane në Jemen.

Në sulmin ndaj “USS Cole” humbën jetën 17 marinarë.

Gjykatësit e dy terroristëve thanë për mediat se kanë ngritur këtë çështje në Strasburg duke u bazuar kryesisht në të dhënat e njohura dhe dokumentat me akses publik, për shkak se shumë dokumenta rreth kësaj çështje janë objekt i klasifikimit sekret nga SHBA.

Top Channel