SHBA, hetime për aksidentin hekurudhor

02/12/2013 16:10

Autoritetet amerikane kanë nisur një hetim të gjerë mbi arsyet e një aksidenti hekurudhor, që i kushtoi jetën katër personave gjatë së dielës.

60 udhëtarë mbetën të plagosur, në aksidentin e ndodhur në Bronks, Nju Jork.

Sipas raportimeve fillestare të “CNN”, treni doli nga shinat si rrjedhojë e tejkalimit të shpejtësisë së lejuar për lëvizjen në atë trase.

Kutia e zezë e trenit, e cila regjistron të gjithë detajet teknike gjatë lëvizjes është rikuperuar nga specialistët dhe po analizohet në laboratorët e Bordit Kombëtar të Sigurisë në Transport (National Transportation Safety Board).

Administrata Federale Hekurudhore ka dërguar edhe ajo specialistët e saj në vendngjarje.

“Misioni ynë nuk është vetëm të kuptojmë se çfarë ndodhi, por edhe se përse ndodhi, në mënyrë që të pengojmë përsëritjen e diçkaje të tillë.

Treni i udhëtarëve doli nga shinat pranë stacionit Spuyten-Duyvil, vetëm pak pas orës 7:30 të mëngjesit të së dielës, me orën lokale. Të 7 vagonët e trenit kanë dalë nga shinat, teksa dy prej tyre janë përmbysur tërësisht, ndërsa njëri është ndalur vetëm pak përpara lumit Harlem.

Edhe makinisti i trenit është mes të plagosurve, sipas guvernatorit, i cili shton se drejtuesi i trenit është në gjendje të qendrueshme në një nga spitalet lokale.

Top Channel