Kanë dalë rezultatet e para paraprake të zgjedhjeve lokale në Kosovë, në raundin e dytë të tyre, nga balotazhi i së dielës.
Në Prishtinë, Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur fitoren e Shpend Ahmetit, i cili kur ishin numëruar rreth 66,1% e votave, kryesonte me 50,93% kundrejt 49,06% të rivalit të tij, kreut të LDK-së, Isa Mustafa, kryetarit në detyrë të Prishtinës.
Ahmeti do të udhëheqë Prishtinën për 4 vitet e ardhshme.
Ndërkohë, në disa qytete të tjera kemi këto rezultate:
AKR-ja ka shpallu fitoren në Mitrovicën Jugore, ndërsa LDK ka marrë Gjilanin, teksa pritet të drejtojë edhe Pejën, ku në avantazh është kandidati Muhaxheri. AAK ka pranuar humbjen në këtë komunë.
Prizreni, kur janë numëruar 87% e votave, sheh në avantazh Ramadan Mujën e PDK-së, me 53,2% të votave.
Mbështetësit e Vetëvendosjes nisën festën në rrugët e Prishtinës.
14 vjet pas luftës, për herë të parë mundet Lidhja Demokratike e Kosovës në kryeqytet. Rezultatet e zgjedhjeve në Prishtinë tregojnë si fitues kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, me 51.73% përkundër 48.27% të kryetarit të deritanishëm Isa Mustafa.
Menjëherë pas shpalljes së këtyre rezultateve, mijëra përkrahës të Vetëvendosjes janë mbledhur në sheshin “Ibrahim Rugova” për të festuar. Para qytetarëve foli plot emocion vetë Shpend Ahmeti, i cili premtoi se do përligjë plotësisht besimin e zgjedhësve që i dhanë fitoren.
Fitorja e lëvizjes Vetëvendosje në kryeqytet është një ndër kthesat më të mëdha zgjedhore në Kosovë. Simpatizues të këtij subjekti nga të gjitha anët e Kosovës i janë drejtuar kryeqytetit në mënyrë të organizuar për të vazhduar festën.
Balotazhi në Kosovë
Pjesëmarrje më e ulët, por pa incidente të rënda
Me një pjesëmarrje më të ulët se në raundin e parë, Kosova votoi këtë të
diel për balotazhin, nga ku do të dalin kryetarët e 25 komunave të
vendit.
Deri në orët e pasditës, në votime kishin dalë 27,63% e qytetarëve me të drejtë vote në Kosovë. Kjo u bë e ditur në konferencën e fundit për shtyp, para përfundimit të proçesit, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Përqindja e pjesëmarrjes në votime, deri në orën 15:00, nëpër qytetet e Kosovës ka qenë: Gjakovë 35,46%, Gjilani 32,26%, Prishtinë 31%, Prizren 21,06%, Pejë 27,90%, Mitrovicë e Jugut 21,42%, Mitrovicë e Veriut 12,54%.
Edhe pse moti ishte i ftohtë e me shi, shumë qytetarë para mbylljes së votimit i gjetëm teksa prisnin të votonin.
Nga Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës janë raportuar disa parregullsi, të cilat nuk kanë ndikuar në zhvillimin e procesit zgjedhor.
Një rast në Prizren, ku një zyrtar i lartë i KKZ-së dyshohet për manipulim të votave. Në Prishtinë, LDK dhe VV kanë akuzuar njëri-tjetrin për tentim vjedhjeje të votës, ndërsa në qytete të tjera kanë ardhur raportime për fotografim vote, apo tentim votimi nga njerëz që kishin shenja boje.
Policia e Kosovës konfirmon një rast në Gjilan për keqpërdorim detyre nga një komisioner. Në Lipjan është ndaluar një person, që ka penguar procesin, nën dyshimin se mbante armë pa leje, por më pas ka rezultuar fals.
Policia po heton disa raste nën dyshimin për manipulimin e votës.
Zgjedhjet në Mitrovicë
Zgjedhësit serb dalin në shumicë për të votuar
Votoi në zgjedhjet e organizuara nga insitucionet zyrtare të Prishtinës, por shpresën e ndryshimit e ka vetëm te politika dhe Beogradi zyrtar. Si shumica e qytetarëve të veriut të Mitrovicës, edhe ky votues serb Kosovën vazhdon ta quajë “zemër të shtetit serb”, duke besuar ende se Kosova është pjesë e pandarë e Sërbisë.
“Votova dhe shpresoj që asgjë të mos ndryshojë, sa i përket bindjes sime që Kosova dhe Metohija do të vazhdojnë të mbeten nën Serbi. Nga këto zgjedhje, shpresoj të ketë jetë më të mirë për ne, si qytetarë të veriut. Uroj që fëmijët tanë, të kenë një jetë më të mirë dhe më të lumtur, por ritheksoj se lumturia e tyre varet vetëm nga Beogradi, e jo nga Prishtina”, tha një qytetar serb.
Gara për kryetar të Mitrovicës së Veriut ka nxitur në masë të madhe daljen e qyterëve serb në balotazhin e së dielës.
Nën masa të mëdha të sigurisë, qindra votues ushtronin të drejtën e tyre të votës. Pothuajse në cdo cep të pjesës veriore, të dielën kishte masa “të hekurta” sigurie.
Ekipi i Top Channel vëzhgoi për disa orë në këmbë qytetin e ndarë. Situata ishte kryesisht e qetë, por mjaft zhurmuese u bë nga shumë qytetarë, që kishin ardhur edhe nga jugu i Serbisë, enkas për të votuar.
Dy kandidatët për komunën veriore të Mitrovicës shpresojnë në fitore. Në deklaratat e tyre për Top Channel thonë se këto zgjedhje janë të rëndësishme për mirëqenien e qytetarëve, por theksojnë se, pavarësisht se këto zgjedhje po organizohen nën ombrellën e Prishtinës zyrtare, serbët kurrë nuk do e pranojnë pavarësinë e Kosovës.
“Mos harroni, serbët kurrë nuk do të kenë vëmendjen nga Prishtina, por nga Beogradi”, tha në shqip Oliver Ivanoviç, kandidati i SDP-së për Veriun.
Ndërkohë, rivali i Ivanoviçit, kryetari i “Listës Serbska”, i përkrahur nga qeveria serbe, i tha Top Channel se me fitoren e tij, qytetarëve të veriut do t’iu rikthehet dinjiteti, por me “sy dhe veshë” nga Beogradi zyrtar.
“Ne, Kosovën dhe Metohinë, i shohim si pjesë të pandara të Republikës së Serbisë. Nuk e pranojmë pavarësinë e njëanshme të shpallur nga Prishtina. Nuk kemi ndërmend të veprojmë në ndonjë mënyrë, e cila do të tregonte se ne po përkrahim politikën e Prishtinës. Për ne, Kosova është pjesë e Serbisë edhe në pjesën jugore të Ibrit, pavarësisht se zgjedhjet po mbahen me ligjet kosovare fatkeqsisht. Por, kjo nuk do të thotë, që ne e pranojmë pavarësinë e Kosovës dhe këtë nuk do e pranojmë kurrë”, tha Kristimir Pantiç, nga “Lista Serbska”.
Rivali i z. Pantiç tha se i trembet ndonjë incidenti gjatë mbrëmjes, pasi – sipas tij – “Lista Srbska” ka sjellur votues nga Serbia në mënyrë të organizuar. Por, kjo u mohua nga z. Pantiç.
Për të parë nga afër procesin e votimit, qendrat në Veri i vizitoi edhe përfaqësuesi i OSBE-së. Pas vizitës, zyrtarët e OSBE-së theksuan se procesi ishte i rregullt dhe pa probleme deri në orët e pasdites.
Ndërkohë, në jugun e qytetit të Mitrovicës, në pjesën më shumicë shqiptare, procesi i votimit vazhdonte normalisht.
Numri i policëve nëpër qendrat e votimit pothuajse nuk vërehej dhe procesi vazhdonte në rrjedha normale. Por, në orët e pasdites, prokurorja e shtetit ka raportuar se në Mitrovicë janë arrestuar tre persona, prej tyre dy komisionerë.
Sipas saj, njëri është arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe dy të tjerë për pengim të procesit. Zyrtarët në përgjithësi, përgjegjësit e qendrave të votimit, nuk kanë raportuar ndonjë incident tjetër.
Ndërkohë, krahasuar me pjesëmarrjen e votuesve më 3 nëntor, pjesëmarrja e qytetarëve këtë herë dukej më e ulët.
Votimi në Gjakovë
Proces i qetë, parregullsi jo domethënëse
Qytetarët e Komunës së Gjakovës duket se kishin vendosur t’i rezistojnë motit të ftohtë dhe, në nivel Kosove, dolën më të shumtë në numër për të votuar.
Përveç të rinjve, që vazhdimisht krijonin radhë nëpër qendra votimi, në sy ranë edhe persona të një moshe të shtyrë, të cilët kërkojnë një të ardhme më të mirë për brezin e ri. Në mesin e tyre është edhe 92-vjecari Fahredin Boshnjaku.
Parregullsitë, edhe në këtë proces zgjedhor, ishin të pashmangshme. Persona të paautorizuar qëndruan në vazhdimësi pranë qendrave të votimit.
Nga ana tjetër, pavarësisht se fotografimi i votës është veprim i paligjhshëm, ka nga ata qytetarë, të cilët pa hezitim e kanë fotografuar votën dhe e kanë postuar në Facebook.
Në qendrën më të madhe të votimit, njëra nga vendvotimet u mbyll për disa kohë. Kjo, për faktin se menaxheri i qendrës së votimit, Zeki Morina, ka shfrytëzuar autoritetin e tij për të votuar pa letërnjoftim.
Megjithëse policia ishte në vendin e ngjarjes, ndaj tij nuk u mor ndonjë masë.
E ndërsa procesi i votimit vazhdonte, qendra “Yll Morina” u vizitua nga ambasadorja amerikane Tracey Jacobson. Në një deklaratë për Top Channel, ajo e vlerësoi si të rregullt procesin zgjedhor, të paktën deri në orën 16, dhe vuri në dukje faktin se, këtë herë, në disa komuna, qytetarët po dalin më shumë në zgjedhje, ndërsa në disa entuziazmi ka rënë.
Qytetarët e Komunës së Gjakovës, këtë herë, kanë mundësi të zgjedhin mes kandidates së AKR-së, Mimoza Kusari Lila, e cila ka premtuar ndryshimin, dhe kandidatit të AAK-së, i cili kërkon mandatin e tretë të tij.
Top Channel