Seria A, Juve nis arratinë nga Roma

01/12/2013 21:00

Një gol i Llorente, minutat e fundit të kohës shtesë, i dhuron Juventusit 3 pikë të arta, që e distancojnë me po kaq pikë nga ndjekësit më të afërt të Romës.

Në Torino, ku u zhvillua ndeshja e fundit për ditën e diel, e vlefshme për javën e 14-të të Serisë A, kundër Udinezes, skuadra e Antonio Conte-s fiton 1-0 një ndeshje tepër të vështirë.

Friulanët shpërdorojnë disa raste për gol me anë të Di Natale, i cili ndesh përballë një pengesë të pakalueshme të quajtur Buffon. Ndërsa në minutën e 91, një gjuajtje me kokë e sulmuesit spanjoll, ish- i Bilbaos, çon në delir “Juventus Stadium”.

Në Bergamo, Strootman shpëton Romën nga humbja e parë në këtë kampionat, teksa skuadra kryeqytetase arrin kështu barazimin e 4 radhazi, pas 10 fitoreve të para.

Holandezi i verdhekuqve shënon golin e barazimit në minutën e fundit të kohës së rregullt, ndërkohë që Atalanta kishte shënuar më parë, në minutën e 51, me anë të Brivio-s, pas një goditjeje dënimi që u shoqërua edhe me një gafë të portierit De Sanctis të Romës.

Në minutën e 28 të pjesës së parë, Benatia godet shtyllën e portës së tij, duke rrezikuar një autogol, pas gjuajtjes së Brienza-s. Pas disavantazhit, Garcia hodhi në lojë Ljajic dhe Pjanic, por nuk mundi të merrte më shumë se barazimi, pavarësisht se dyshohet edhe për një penallti të paakorduar, pas prekjes të topit me dorë të Canini-t.

Ndërkaq, ish-lojtari i Interit, Sinisa Mihajlovic, tashmë trajner i Sampdorias, i prish festën presidentit të ri zikaltër, Thohir. Skuadra e Mazzarri-t kalon në avantazh me anë të Guarin, në të 18-tën e pjesës së parë, por vuan përgjatë gjithë 90-minutëshit, teksa rezultati barazpeshohet 1 minutë nga fundi, me anë të Renan, i cili shkakton zhgënjim në tribunën e Milanos.

Nuk ka festë për Erick Thohir, në debutimin e tij në “San Siro”. Inter-Sampdoria përfundon 1-1, një barazim befasues disi për Interin, por jo për Samp-in që luajti më mirë: më agresive dhe e qartë krahasuar me ekipin e Mazzarri-t.

Një e ardhme për t’u dëshifruar në shtëpinë zikaltër, për shkak se skuadra po bën hapa prapa. Më herët, Milan kishte mposhtur 1-3 Catanian, në ndeshjen e zhvilluar në mesditë, ku shënuan Montolivo, Kakà dhe Balotelli.

Top Channel