Magani, trajneri i ri i Tiranës

01/12/2013 00:00

Gugash Magani do të jetë trajneri i ri i Tiranës, ndërsa Klodian Dervishi do të jetë zëvendësi i tij.

Burime brenda klubit bardheblu pohojnë për Top Channel se ish-trajneri i Teutës deri para 3 javësh është zgjedhur si tekniku i duhur që do të nxjerrë Tiranën nga kjo krizë e thellë. Donatorët e 24 herë kampionëve të Shqipërisë nuk kanë treguar durimin e duhur me Sokol Bulkun, i cili mori skuadrën në një situatë të vështirë, direkt pas largimit të Alpin Gallos.

Humbja 2-1 ndaj Lushnjës me sa duket nuk është kapërdirë nga donatorët bardheblu, të cilët kanë lajmëruar administratorin Alimehmeti t’i mbyllë derën e klubit Sokol Bulkut, ish-lojtar dhe zv/trajner për rreth 2 vjet i kësaj skuadre.

Në këto 3 muaj e gjysmë, Gugash Magani është trajneri i katërt që merr drejtimin e Tiranës, kriza e të cilës po thellohet çdo ditë e më shumë duke rrezikuar dhe rënien nga Superiorja.

Top Channel