Silvio-Galliani, 4 orë takim. Maldini, “po” Barbarës

30/11/2013 04:05

E ardhmja e Milanit mbetet në udhëkryq. E premtja më e gjatë, që klubi kuqezi besohet të mbajë mend, do të vazhdojë mëngjesin e së shtunës në “Milanello”, ku do të jetë i pranishëm edhe Silvio Berlusconi, për të zbuluar se cila do të jetë e ardhmja që pret Milanin.

Ky është fundi i bujshëm i një dite historike, që nisi me shpalljen tronditëse të dorëheqjes së Adriano Galliani-t, për shkak të mosmarrëveshjeve me Barbara Berlusconi-n. Darka prej 4 orësh në vilën “Arcore”, mes administratorit të deleguar dhe padronit kuqezi, Silvio Berlusconi, mund të ketë ndryshuar edhe fatet.

“Kam pësuar dëme serioze. Do të largohem, me ose pa miratim. Nuk kryhet kështu ndryshimi i gjeneratave”. Me këto fjalë, Galliani kishte njoftuar fundin e aventurës së tij te Milan, mëngjesin e së premtes. Një lamtumirë, që me shumë mundësi është shtyrë pas ndeshjes derbi me Interin, më 22 dhjetor. Por, gjithsesi, një lamtumirë pas pothuajse 28 vitesh dhe 28 trofeve të fituar.

Berlusconi, i pakënaqur, madje edhe i irrituar, nuk e ka kapërdirë dot (Ky nuk është imazh i mirë për Milanin, mund të vinte tek unë për sqarime, pa e ngritur këtë polemikë që përfundoi në media, – është cituar të ketë thënë nga ANSA) dhe e ka thirrur në një takim në vilën e tij “Arcore”, me shumë mundësi për të tentuar ta bindë Galliani-n të qëndrojë në postin e tij deri në qershor. Darka nisi në 21, ku ka qenë i pranishëm edhe Bruno Ermolli, i ngarkuar gjatë ditëve të kaluara për të ndjekur tratativat për largimin e paqtë të administratorit të deleguar. Galliani doli nga vila më 00:57, pas pothuajse 4 orësh, pa dhënë asnjë shpjegim.
 
Ndërkohë që e ardhmja e Galliani-t mbetet e paqartë (Ende nuk e mendoj tani për tani. Kur ndihesh i ofenduar duhet të gjesh forcë e të tregohesh inteligjent për të pritur të kalojë pak koha, – thoshte në mëngjes, pas njoftimit të dorëheqjes) e ardhmja e Milanit të ri nis të marrë formë.

Në udhëheqjen e re të Milanit, të sigluar nën firmën e Barbara Berlusconi-t, do të jetë edhe Paolo Maldini. Konfirmimi vjen nga i ati i tij, Cesare Maldini, i cili gjatë një interviste për “Al Jazeera” ka zbuluar se i biri ka pranuar tashmë propozimin e Barbara-s për t’u bërë drejtor përgjegjës për aspektin teknik, rol që me prezencën e Galliani-t nuk do të mund ta merrte.

Silvio Berlusconi pritet të jetë në “Milanello” mëngjesin e së shtunës, ku do të duhet të sqarojë edhe këtë çështje.

Top Channel