BE rishikon ndalimin e shitjes së automjeteve me djegie të brendshme, mirëpret hibridet dhe biokarburantet
Franca ishte një “partner i çmuar” i Agjencisë amerikane të Sigurisë Kombëtare, NSA, në emër të luftës kundër terrorizmit.
Kështu shkruan e përditshmja “Le Monde”, që citon dokumente të reja të vëna në dispozicion nga ish-kontraktori Edward Snowden.
Dokumentet në fjalë tregojnë mes të tjerash autonominë e shërbimeve sekrete franceze ndaj Parlamentit dhe qeverisë, raporton gazeta prestigjoze.
Shumë vendime mbi menaxhimin e të dhënave personale janë marrë në nivelin e drejtorëve teknikë të shërbimeve sekrete të këtij vendi, pa asnjë kontroll demokratik.
Më herët gjatë muajit u raportua se edhe Britania e Madhe kishte lejuar Agjencinë amerikane të Sigurisë Kombëtare që të zotëronte numrat e telefonave dhe adresat e postës elektronike të shtetasve britanikë nga viti 2007.
Kanali televiziv “Channel 4” dhe gazeta “The Guardian” njoftuan se rregullat ekzistuese ishin modifikuar në vitin 2007 për t’i lejuar Shteteve të Bashkuara të ruanin informacionet e shkëmbyera mbi britanikët që nuk dyshoheshin për aktivitete kriminale.
Edhe lajmet e dy organeve mediatike bazoheshin në dokumenta të publikuara Edward Snowden. Ministria e Jashtme britanike reagoi duke thënë se nuk komentonte të tilla “spekullime”.
Por sipas dokumenteve, pasi rregullat ndryshuan, Amerika u lejua të mbante ato të dhëna për t’i analizuar për qëllimin e vetëm të “kontaktit zinxhir”.
Kjo do të thotë se ajo kishte mundësinë për të parë lidhjet mes numrave të ndryshëm telefonikë ose adresave të postës elektronike.
Top Channel