Milan, jep dorëheqjen Galliani

29/11/2013 12:45

Drejtori i Përgjithshëm i Milanit, Adriano Galliani, informoi të premten mediat për vendimin e tij të parevokueshëm për të dhënë dorëheqjen nga pozicioni i drejtorit të përgjithshëm.

CEO i Milanit që prej vitit 1986, Galliani është konsideruar gjerësisht si numri dy i klubit pas presidentit Berlusconi dhe përgjegjësi kryesor për sukseset e arritura.

Nën drejtimin e drejtorit historik, Milani shkroi faqen më të lavdishme në historinë e tij futbollistike, duke fituar gjatë kësaj periudhe pesë Champions League dhe tetë kampionate, midis të tjerave.

”Me ose pa marrëveshje për largimin tim, jap dorëheqjen për dëmin që i kanë shkaktuar reputacionit tim kritikat e Barbara Berlusconit. Duhet ende të përcaktoj se kur do të dorëzoj detyrën, mbase pas disa ditësh, pas ndeshjes me Ajax në Champions League”, deklaroi Galliani për agjensinë “ANSA”.

”Jam dakord që nevojitet ndërrimi i brezave, por kjo duhet bërë me elegencë, jo në këtë mënyrë”, theksoi Galliani, i cili u kritikua në fillim të Nëntorit për mënyrën e tij të drejtimit nga zëvendëspresidentja dhe e bija e pronarit, Barbara Berlusconi.

”Dua të bëj të qartë, që për të paktën disa kohë nuk do të jem në treg për asnjë skuadër. Dua të kaloj pak kohë, për të shqyrtuar nëse do të rikthehem sërish në botën e futbollit. Kur ndihesh i ofenduar, duhet të kesh forcën dhe zgjuarsinë që të lësh të kalojë pak kohë, për të qenë i kthjellët në mendime”, shtoi Galliani.

Top Channel