Më shumë se 40 persona kanë mbetur të vrarë nga një shpërthim në një depo armësh në jug të Libisë, pasi banorë lokalë janë përpjekur për të vjedhur municione, ndërsa 4 ushtarë kanë vdekur si pasojë e dhunës në lindjen e trazuar të vendit, bëjnë të ditur zyrtarët.
Incidentet theksojnë edhe njëherë situatën e rëndë në të cilën ndodhet Libia, ku qeveria është duke u përpjekur të vendosë rendin në një vend me burime të mëdha nafte, por edhe një vend të pushtuar nga armët pas rrëzimit të Muammar Gaddafi-t në vitin 2011.
Shpërthimi në Brak al-Chati, të enjten, pranë qytetit kryesor të pjesës jugore, Sabha, ndodhi pasi një grup prej 43 shtetasish dhe afrikanësh u futën në armën e depove për të vjedhur municione, tha një zyrtar i sigurisë.
Numri i viktimave mund të rritet më tej, pasi depoja gjendet ende e përfshirë nga flakët dhe njerëz të tjerë mund të kenë mbetur viktima brenda saj, tha zyrtari.
Më herët, gjatë së enjtes, zyrtarë të sigurisë thanë se një depo që strehonte municione tanqesh në një bazë ajrore shpërtheu, duke vrarë 10 persona e duke plagosur 20 të tjerë, në qytetin jugor të Barek al-Shati. Ende nuk është qartësuar se çfarë e shkaktoi shpërthimin.
Ushtria e sapokrijuar libiane po vuan në sigurimin e bazave të armëve dhe në luftimin e militantëve islamik, milicive, si dhe grupeve të banditëve, të cilët luftuan në trazirat kundër Gaddafi-t, por që tashmë refuzojnë të çarmatosen, duke kontrolluar disa pjesë të vendit.
4 ushtarë janë vrarë në Benghazi, si pasojë e përplasjeve që shpërthyen mes forcave të armatosura speciale dhe militantëve islamik të grupit Ansar al-Sharia, thanë zyrtarët. Problemi nisi kur ushtarët ndaluan një makinë të mbushur me armatime, eksplozivë dhe sasi të mëdha parash.
“3 ushtarë u vranë në përplasjet me Ansar al-Sharia”, tha Wanis Bukhmada, komandant i forcave speciale në Benghazi, gjatë një konference për shtyp. Më pas, ai shtoi për “Reuters”: “Do ta mbrojmë Benghazin”.
Një tjetër ushtar u vra nga një i armatosur i panjohur gjatë mëngjesit, në një tjetër pjesë të qytetit, tha një burim i forcave të sigurisë.
Top Channel