Karzai dënon sulmet vdekjeprurëse të SHBA-ve

29/11/2013 03:25

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, ka dënuar sulmet ajrore të amerikanëve, të cilat kanë vrarë një fëmijë të vogël dhe kanë plagosur 2 gra në provincën jugore të Helmandit.

Zëdhënësi i Karzait tha se sulmi mbi shtëpinë afgane ishte një tjetër shenjë e mospërfilljes së SHBA-ve për jetët e civilëve. Shtetet e Bashkuara nuk kanë dhënë asnjë koment mbi ngjarjen deri tani.

Kjo ngjarje vjen teksa Uashingtoni dhe Kabuli po synojnë arritjen e një marrëveshjeje, që do t’i lejonte trupave amerikane të qëndronin në Afganistan përtej vitit 2014.

Karzai e ka refuzuar deri më tani nënshkrimin e marrëveshjes, duke pritur për siguri të mëtejshme nga SHBA-të.

Zyra e tij njoftoi më herët, gjatë kësaj jave, se ai kërkon garanci se trupat amerikanë nuk do të mësyjnë shtëpitë e afganëve dhe se Uashingtoni do të ndihmojë në rinisjen e bisedimeve për paqe me talebanët.

Mes kushteve të tij, ishte gjithashtu edhe rikthimi i qytetarëve afganë të burgosur në Guantanamo, sipas raportimeve.

Ndërkohë, këshilli i pleqve të mbledhur në asamblenë e madhe (Loya Jirga) në Kabul, në fillim të kësaj jave, ka bërë thirrje për nënshkrimin e marrëveshjes.

Një deklaratë e Presidencës afgane bënte të ditur se sulmi i Amerikës në Helmand “tregon edhe njëherë se forcat amerikane nuk kanë respekt për jetët e afganëve”. Në të thuhej se për sa kohë do të vazhdojnë këto “mizori”, “pakti për sigurinë nuk do të nënshkruhet me SHBA-të”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA