Autoritetet amerikane dhe japoneze janë duke hetuar dy shpërthime të vogla, gjatë së enjtes, jashtë një baze ajrore amerikane pranë Tokios, bëjnë të ditur zyrtarët.
Hetuesit kanë gjetur dy tuba metalikë dhe një pajisje të thjeshtë që mat kohën, të cilat autoritetet amerikane i përshkruan si një “pajisje të improvizuar për lançim”, pranë bazës ajrore Yokota.
“Mund të konfirmojmë se ishte një pajisje improvizuese lançimi jashtë Yokota-s gjatë mbrëmjes”, bëhet e ditur përmes një deklarate të lëshuar nga baza amerikane. “Çështjet e sigurisë pranë instalacionit tonë, ne i marrim me seriozitet të madh, teksa po asistojmë Policinë Kombëtare japoneze në hetimet e saj për këtë çështje”.
Asnjë i plagosur nuk është raportuar, teksa hetuesit amerikanë ushtruan kërkime në bazë përgjatë gjithë natës deri në orët e para të mëngjesit, duke kërkuar për pika të mundshme ndikimi, deklaroi kapiten Ray Geoffroy, një zëdhënës i Forcave Ajrore.
Rezidentët jashtë bazës raportuan se kishin dëgjuar dy të shtëna, si të shtëna topi, rreth orës 23:00 me orën lokale, bëri të ditur Departamenti i Policisë së Tachikawa-s. Daisy Gonzaga, e cili po qëndronte pranë bazës, tha se kishte dëgjuar dy shpërthime eksplozivi.
Fillimisht, ajo tha se kishte menduar që ato mund të kishin qenë fishekzjarre, të cilat mund të ishin hedhur si pjesë e festimeve të Ditës së Falënderimeve, nga brenda bazës.
Gonzaga tha se kur nuk kishte parë fishekzjarre, atëherë mendoi seriozisht për diçka më të rëndë.
Top Channel