Ish-këshilltari i ministrave shpallet i zhdukur

29/11/2013 00:00

Më 22 nëntor, Gjykata e Tiranës shpalli të zhdukuar Eduard Belegun, ish-këshilltar i dy Ministrave të Ekonomisë, për të cilin prej më shumë se një viti nuk ka asnjë informacion.

Shpallja si person të zhdukur të Belegut, që para se të ishte këshilltar i ish-ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli dhe më pasi i Dritan Priftit ka qenë administrator i përgjithshëm i kompanisë “Darfo” që ushtronte aktivitetin e saj në minierën e Bulqizës, u bë me kërkesë të bashkëshortes së tij.

Bashkëshortja e tij paraqiti si prova para gjykatës dosjen e prokurorisë që tregonte ndalimin e kërkimit për të dhe dëshminë e të vëllait të Belegut.

Hera e fundit që është parë Belegu ka qenë në afërsi të Pallatit të Sportit Asllan Rusi. Për zhdukjen e tij qarkulluan disa skenarë, ndërkohë që ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti deklaronte pak muaj pas zhdukjes së Belegu po hetohej për një akuzë të ngritur kundër tij gjatë kohës kur ishte administrator i “Darfo”-s.

Policia dhe Prokuroria janë dorëzuar në këtë cështje dhe thonë se nuk kanë asnjë të dhënë rreth Belegut, nëse ai është gjallë apo jo.

Top Channel