F1, Maldonado zëvendëson Raikkonenin tek Lotusi

29/11/2013 00:00

Pastor Maldonado do të jetë zëvendësuesi i Kimi Raikkonenit tek skuderia Lotus për vitin 2014. Piloti nga Venezuela do të jetë në këtë mënyrë shoku i ri i skuadrës i francezit Romain Grosjean duke nisur që nga sezoni i ardhshëm.

Maldonado, kampion i GP2 në vitin 2010, lë skuderinë Williams dhe vendi i tij do të zihet nga braziliani Felipe Massa.

Me Williamsin, Maldonado ka zhvilluar 3 sezone, duke fituar vetëm 1 garë (Cmimin e Madh të Spanjës në vitin 2012) dhe duke grumbulluar në total 47 pikë.

Pastor Maldonado është zgjedhur nga Lotusi sidomos për sponsorin që sjell me vete (Nafta e Venezuelës PDVSA), sponsor që do ndihmojë shumë Lotusin në zgjidhjen e problemeve ekonomike që ka aktualisht.

“Doja të ndërroja ambient për t’i dhënë një shtysë të mëtejshme karrierës time në Formula 1 dhe Lotusi më ofroi mundësinë për të qenë kompetitiv në vitin e ardhshëm. Rregullat do të ndryshojnë shumë në vitin 2014 dhe ishte momenti i duhur për të nisur një cikël të ri”, deklaroi Pastor Maldonado.

Top Channel