Udhëheqësit europianë u mblodhën në Vilnius të Lituanisë për samitin e Partneritetit Lindor, të cilit i parapriu vendimi tronditës i Ukrainës, për të mos nënshkruar marrëveshje me Bashkimin Europian.
Viktor Janukoviç, presidenti ukrainas, do të përballet me pyetje të shumta nga udhëheqësit europianë, mbi arsyet që çuan në pezullimin e paktit, që – siç u raportua – erdhi si pasojë e presionit të Rusisë.
Samiti dy-ditor zhvillohet në kryeqytetin e Lituanisë, vend që mban Presidencën e Bashkimit Europian. Udhëheqësit do të zhvillojnë bisedime mbrëmjen e së enjtes, ndërsa ato zyrtare do të zhvillohen të premten.
Do të nënshkruhen marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit me Gjeorgjinë dhe Moldavinë, si edhe marrëveshja e vizave me Azerbajxhanin.
Kur mbërriti në Vilnius, Janukoviç u takua me presidentin e Këshillit Europian, Herman Van Rompuj, por nuk janë mësuar detaje rreth këtij takimi. Më herët, në një intervistë për një televizion ukrainas, ai akuzoi Brukselin se i ka dhënë një hua të vogël për të ndihmuar në reformimin e ekonomisë, kur vendit të tij i duhen 20 miliardë euro për ta ngritur ekonominë në standardet europiane.
Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, tha se “ekonomia e Ukrainës ka nevojë për investime, por këto nuk janë kosto, përfaqësojnë të ardhura, më shumë rritje, vende pune dhe më shumë mirëqenie”.
Politikani i njohur i opozitës ukrainase, Vitali Klitcho, që ndodhet në Vilnius, shprehu shpresën për nënshkrimin e marrëveshjes. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, që pritet të zhvillojë bisedime me Janukoviç, të premten, tha se “nuk ekzistojnë shpresa për nënshkrimin e paktit, por dera – tha ajo – mbetet e hapur”.
Protestat pro-europiane po vazhdojnë në qytetet e Ukrainës, kundër vendimit të qeverisë. Janukoviç kundërshtoi kushtin e Bashkimit Europian, për të liruar ish-kryeministren dhe udhëheqësen e opozitës, Julia Timoshenko.
Përballja shtoi tensionet mes BE-së dhe Rusisë, ndërsa Ukraina foli për “shndërrimin në një fushë-betejë mes të dyve”.
Top Channel