Tymoshenko-BE-së: Firmosni marrëveshjen

28/11/2013 00:00

Yulia Tymoshenko, liderja e opozitës ukrainase e dënuar me 7 vjet burg, i
ka kërkuar Bashkimit Evropian që ta nënshkruajë marrëveshjen për
tregtinë e lirë me Ukrainën.

Tymoshenko kërkon që nënshkrimi të bëhet gjatë samitit të Vilniusit, që fillon të enjten, edhe pse nuk është arritur një kompromis për lirimin e saj.

“Nëse Yanukovich merr një vendim pozitiv, ju kërkoj fuqishëm që të firmosni marrëveshjen pa asnjë hezitim dhe pa asnjë kusht, përfshirë këtu lirimin tim”, thotë ish-kryeministrja në letër.

Tymoshenko, protagoniste e padiskutueshme e Revolucionit Portokalli në vitet 2004-2005, është dënuar në një proces të cilin Brukseli e konsideron me karakter politik.

Vendimi i presidentit Yanukovich për të anuluar nënshkrimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë me BE-në, nën presionin e Moskës zyrtare, ka shkaktuar protesta masive në mbarë Ukrainën.

Demonstruesit janë betuar se do të vazhdojnë daljet në rrugë, të paktën deri në fund të samitit të Vilniusit, në Lituani, gjatë të cilit Ukraina planifikonte të nënshkruante marrëveshjen për tregtinë e lirë dhe atë të Stabilizim-Asociimit.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin e justifikoi presionin e Moskës me pretendimin se, marrëveshja për tregtinë e lirë Ukrainë-BE do të përbënte një “kërcënim të madh” për ekonominë e Rusisë.

Putin tha se Rusia do të përmbytej me mallra europiane praktikisht pa paguar tarifa, për shkak të një regjimi ekzistues të tregtisë së lirë mes Kievit dhe Moskës.

Ndërsa presidenti i Ukrainës tha se dëshironte kushte më të mira në marrëveshje. “Sapo të arrijmë një nivel më komod për ne, kur marrëveshja të plotësojë interesat tona, kur ne të dakordësohemi mbi kushte normale, atëherë do flasim për nënshkrimin e saj”, tha Yanukovych.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB