Përplaset avioni në aeroportin e Karolinës së Veriut, 6 persona humbin jetën, autoritetet: Shpërtheu në flakë Japonia dhe Korea e Jugut kanë sfiduar që të dyja vendimin e Pekinit për të zgjeruar hapësirën e mbrojtjes ajrore, duke dërguar pa paralajmërim avionët e tyre mbi Detin e Kinës Lindore.
Tokio foli për një “aktivitet rutinë survejimi” dhe Seuli pohoi gjithashtu një fluturim nga ana e tij.
Kina, që shkaktoi reagime të mëdha me vendimin e së shtunës për ta zgjeruar hapësirën e mbrojtjes ajrore, duke përfshirë edhe ishujt, e pretenduar si prej saj, ashtu edhe prej Japonisë, thotë se avionët që do të duan të fluturojnë atje, duhet më parë të parashtrojnë planet e tyre e t’i binden rregullave të saj.
Lëvizja u dënua si nga Japonia, ashtu dhe nga Shtetet e Bashkuara. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, e çoi në një tjetër nivel diskutimin për këtë çështje, duke konfirmuar se traktati amerikano-japonez për mbrojtjen është i vlefshëm edhe për grupin e ishujve, që japonezët i njohin si Senkaku, ndërsa kinezet i quajnë Diaouju.
Një zëdhënës i Pentagonit tha se, të mërkurën, Hagel bisedoi me homologun e tij japonez, Itsunori Onodera, mbi situatën e sigurisë në Detin e Kinës Lindore. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, sipas zëdhënësit në fjalë, vlerësoi lart faktin që qeveria japoneze u tregua e përmbajtur, pas deklaratës së Pekinit.
Çështjen do ta diskutojë javën e ardhshme me zyrtarë kinezë edhe zëvendëspresidenti Joe Biden, në kuadër të vizitës së tij në tri vende në rajon, ndër të cilat edhe një ndalesë në Japoni. Të martën, Pentagoni dërgoi dy avionë B-52 pranë ishujve të diskutuar, në sfidën e parë të drejtpërdrejtë ndaj përpjekjes së Pekinit për të vendosur një zonë të mbrojtjes ajrore.
Ministria kineze e Mbrojtjes tha se i kishte diktuar menjëherë avionët e kishte ndjekur trajektoren e tyre dhe se vendi “është më se i aftë të ushtrojë kontroll efektiv” mbi zonë.
Top Channel