Tajlandë, kryeministrja i mbijeton mosbesimit

28/11/2013 00:00

Kryeministrja tajlandeze, Yingluck Shinawatra, i ka mbijetuar një mocioni mosbesimi në Parlament, pas protestave masive në kryeqytetin Bangkok.

Mocioni u kërkua nga partia Demokratike në opozitë, por partia e zonjës Yingluck, “Pheu Thai” ka mazhorancën në legjislativ, ndaj dhe e votoi kundër atë me 297 vota kundër dhe 134 pro.

Qeveria e Yingluck po përballet me demonstratat më të mëdha që kanë goditur Tajlandën që prej dhunës së vitit 2010.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ka shprehur shqetësimin e tij mbi tensionet e krijuara, si dhe ka nxitur vetëpërmbajtje.

Protestat nisën në Bangkok të dielën, e që prej atëherë demonstruesit kanë bërë thirrje për dorëheqjen e qeverisë, duke marshuar drejt Ministrive dhe trupës qeveritare, në përpjekje për t’i mbyllur ato.

Protestuesit, të cilët udhëhiqen nga një ish-ligjvënës i partisë opozitare, thonë se qeveria e zonjës Yingluck është e kontrolluar nga vëllai i saj, një ish-lider i rrëzuar, Thaksin Shinawatra.

Zonja Yingluck ka kërkuar fuqi të posaçme që lejojnë shtetrrethimin dhe mbylljen e rrugëve, ndërsa policia ka urdhëruar gjithashtu arrestimin e liderit të protestave, por deri më tani asgjë nuk është bërë për kapjen e tij.

Lideri i OKB-së, Ban Ki-moon, ka bërë thirrje ndaj të gjitha palëve të “ushtrojnë një vetëpërmbajtje të madhe, të mos përdorin dhunën dhe të tregojnë respektin maksimal ndaj ligjeve dhe të drejtave të njeriut”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB