Përplaset avioni në aeroportin e Karolinës së Veriut, 6 persona humbin jetën, autoritetet: Shpërtheu në flakë
Opozita është kundër demokracisë dhe të frikësuar nga ajo që kërkon populli i këtij kombi, tha zv/ministri i Jashtëm i Sirisë, Faisal al-Mekdad, për CNN gjatë së mërkurës, duke folur nga Damasku.
“Mendoj se ata jetojnë në një epokë tjetër. Këta njerëz vijnë nga periudha e Mesjetës. Ata janë kundër demokracisë, janë kundër zgjedhjeve, madje edhe kundër integritetit territorial dhe bashkimit të popullit sirian”, tha ai.
Al-Mekdad mbrojti presidentin sirian, Bashar al-Assad, duke refuzuar thirrjen ndaj tij për t’u dorëhequr, duke thënë se “në momentin kur anija gjendet në mes të një furtune detare, lideri apo kapiteni i saj nuk duhet të japë dorëheqjen”.
“Jemi gati të bisedojmë për gjithçka, por kurrsesi nuk mund të krijojmë një vakuum në Siri, i cili do të çonte në copëtimin e vendit dhe drejt mungesës së ligjit në vend. Vendimi ynë është që, gjithçka për të cilën do të biem dakord, ta hedhim në referendum, duke kërkuar votën e popullit sirian, sepse janë ata pronarët e vërtet të vendimit përfundimtar në gjithësinë e këtij procesi”, tha ai.
I pyetur për dhënien e një përgjigjeje ndaj frikës së opozitës, se qeveria mund të manipulojë një votim të tillë, zyrtari në fjalë akuzoi palën tjetër se “është e frikësuar nga populli”.
“Ata janë të frikësuar nga vendimi i popullit, sepse e dinë se janë të izoluar dhe që nuk e kanë mbështetjen e popullit”, tha al-Mekdad.
Siria ka planifikuar të dërgojë një delegacion në Zvicër, në fillim të vitit të ardhshëm, për të marrë pjesë në bisedimet e paqes në Gjenevë, por Ushtria e Lirë Siriane, në opozitë, thotë se ky zhvillim do të kalojë pa një zgjidhje.
Kombet e Bashkuara njoftuan se konferenca “Gjeneva 2”, shpesh herë e shtyrë, e cila synon t’i japë fund luftës civile siriane, do të nisë më 22 janar në Zvicër.
“Më në fund, dhe për herë të parë, qeveria siriane dhe opozita do të takohen së bashku në tryezën e negociimeve, ndryshe nga ‘takimet’ e përditshme në fushë-betejë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, gjatë një konference për shtyp këtë javë.
Zëdhënësi i Ushtrisë së Lirë Siriane, Louay al-Mokdad, tha për CNN të mërkurën, se nuk do të marrë pjesë në këtë konferencë, për shkak se komuniteti ndërkombëtar nuk ka mbajtur angazhimet e mëparshme.
“Komuniteti ndërkombëtar tha se ishin të angazhuar në dhënien e ndihmave për popullin tonë, në lirimin e grave dhe fëmijëve të burgosur në burgjet e al-Assad, si dhe në heqjen e rrethimeve të qyteteve dhe fshatrave tanë”, tha ai. “Deri më tani, ata nuk kanë arritur asnjë nga këto angazhime. Kështu që, si mund të garantojnë ata se Assad nuk do të ketë të ardhme në Siri?”.
Top Channel