Kreu i grupit kryesor opozitar në Siri konfirmoi pjesëmarrjen e tij në bisedimet e paqes së Gjenevës në Janar 2014, takim që synim t’i japë fund luftës civile 3-vjeçare.
Ahmed Jarba, kreu i Frontit Kombëtar Sirian i cilësoi këto bisedime si “një hap më pranë tranzicionit të pushtetit”, duke vendosur si kusht largimin e Bashar al-Assad për fillimin e procesit të paqes.
Qeveria siriane gjithashtu ka konfirmuar pjesëmarrjen, por me kusht që të mos negociohet asnjë kalim pushteti në duart e kryengritësve, ndaj bisedimet duken të vështira që në fillim.
Fronti Kombëtar Sirian, gjatë bisedimeve të paqes ka vendosur që të refuzojë një armëpushim të përkohshëm, me pretendimin se ai do t’i shërbente Assadit për të përforcuara pozicionet në pikat nevralgjike të frontit.
FKS përmbledh në vete grupimet kryesore që sfidojnë me luftë pushtetin e Assad, por jo disa prej grupimeve islamike që luftojnë të veçuar kundër qeverisë aktuale.
Ndërkohë, buletini i luftës raporton se të enjten po shënohen luftime të ashpra në rrethinat e Damaskut dhe në lartësitë Golan, pranë kufirit me Izraelin.
Gjatë natës, forcat e ushtrisë së rregullt qëlluan me artileri edhe pozicionet e kryengritësve në qytetin lindor të Raqës.
Më shumë se 120 mijë sirianë kanë humbur jetën që prej fillimit të luftës civile në Mars 2011, ndërsa rreth 40% e popullsisë prej 22 milionë banorësh të Sirisë llogariten të jenë tashmë refugjatë jashtë apo brenda vendit.
Top Channel