“Nata e bardhë” vjen sërish në kryeqytet, si një ngjarje e cila – sipas ministres së Kulturës – inkurajon festimin dhe angazhimin e komunitetit në një natë të tërë, ku hapësirat e qytetit do të shndërrohen në ekspozita arti, të cilat bashkojnë në festim fëmijë, të rritur dhe njerëz të të gjitha moshave.
Ministrja Kumbaro pohoi se buxheti për organizimin e këtyre aktiviteteve vjen nga ai i vet institucioneve përkatëse të artit, ku zhvillohen ato, dhe duke përdorur burimet njerëzore e materiale ekzistuese të tyre.
“29 nëntori sjell një natë të gjatë, ku kryeqyteti, rrugët, sheshet, institucionet e artit, baret dhe restorantet do të gjallojnë nga aktivitetet e artit, shfaqjet, instalacionet, filmat, kllounet, duke e kthyer ‘natën e bardhë’ shqiptare në një event kulturor, që e afron Tiranën me shumë qytete europiane. Për herë të parë do të jetë nata e gjatë në muze, ku Galeria Kombëtare i bashkon Tiranën 120 qyteteve ndërkombëtare, të cilat kanë tashmë traditën e natës së muzeve. Vizitorët do të mund të shohin falas në Galeri, ekspozita dhe shfaqje të tjera të bashkëlidhura për këtë natë të veçantë. Qendra Kombëtare për Fëmijë ofron një natë të bardhë për prindërit dhe fëmijët e tyre, por do të ketë edhe hapësira të tjera jashtë institucioneve, siç janë rrjeti i Kinemave ‘Imperial’, që ofron filma me çmime të reduktuara, dhe të gjitha baret e restorantet, që do të ofrojnë një jetë të larmishme dhe të gëzueshme gjatë orëve të natës”, u shpreh Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës.
Top Channel