“Lojrat e Sochit, më të kërcënuarat ndonjëherë”

28/11/2013 18:50

Flaka olimpike kaloi në mbi 100 qytete në rrugën e saj drejt Sochit, vendit ku do të mbahen Lojrat Olimpike dimërore, por etapa e ditës së hënë ishte ajo që pritej me më shumë ankth nga të gjithë.

Një vrapues kaloi me pishtarin përmes Makhachkalës, kryeqytetit të Dagestanit, krahinës ruse të përfshirë nga një lëvizje separatiste islamike.

Për fat të mirë, evenimenti kaloi pa asnjë incident, edhe sepse prej ditësh në qytet kishin zbarkuar mijëra trupa të sigurisë dhe ushtrisë ruse, por vëmendja botërore vazhdon të jetë e fokusuar tek siguria e këtyre lojrave.

“Rusia është e sigurt që do të mbajë një edicion të Lojrave Olimpike paqësor, argëtues dhe miqësor për të gjithë. Ne jemi të bindur për suksesin e Lojrave Olimpike”, tha ambasadori i Rusisë në Uashington, Sergey Kislyak për “CNN”.

Ai u shpreh “plotësisht i sigurt” se nuk do të ketë asnjë ngjarje terroriste gjatë Lojrave, pavarësisht kërcënimeve dhe sinjalizimeve shqetësuese në terren.

Megjithatë, republikani Peter King, një anëtar i Komisionit Amerikan të Sigurisë Kombëtare dhe zëvendëskryetar i Komitetit të Anti-Terrorizmit pranoi se nuk ekzistojnë “100% garanci”.

“Këto Lojra Olimpike janë të kërcënuara. Janë më të kërcënuarat ndonjëherë që unë mbaj mend”, deklaroi ai në një rrjet amerikan. “Rusia ka marrë paralajmërime të shumta dhe ne kemi marrë masat tona”.

Në të vërtetë, disa grupe militantësh islamikë që luftojnë për pavarësinë e Dagestanit dhe Çeçenisë, me qëllim themelimin e një shteti islamik në këto territore, kanë paralajmëruar për përgjakjen e Lojrave.

Sulmet e Vollgogradit, qytetit rus ku dy shpërthime në tramvaj i morën jetën 34 personave në fund të Dhjetorit, janë fatkeqësisht paralajmërimi më i mirë i asaj që mund të bëjnë militantët në këtë kohë.

Top Channel