Armët kimike të Sirisë do të shkatërrohen në det

28/11/2013 21:10

Pas refuzimit të Shqipërisë për të pritur shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke planifikuar që të realizojnë këtë proces në det, informoi mbrëmjen e së enjtes “BBC”.

Sipas raportimit, do të jetë luftanija “MV Cape Ray” ajo që do të mbajë ngarkesën, e cila do të shkatërrohet duke përdorur një teknologji të avancuar.

Në bordin e kësaj anije luftarake do të vendosen pajisjet e nevojshme për realizimin e procesit, i cili ka nevojë për shumë ujë në fazën e shpërbashkimit të lëndëve kimike, nga të cilat krijohen mbetje toksike.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, e cila fitoi Nobelin e Paqes gjatë 2013-s, ka vendosur fundvitin si afatin përfundimtar për përcaktimin e planit të shkatërrimit të arsenalit sirian.

Afati i mëparshëm skadoi në datën 15 Nëntor pa mundur të konkretizohej, pasi Shqipëria dhe disa vende të tjera refuzuan kërkesën për të pritur procesin e shkatërrimit.

Aktualisht, arsenali kimik sirian, kryesisht i përbërë nga gazi sarin dhe mustard, mbahet në vendndodhje të sigurta, nën mbikqyrjen e inspektorëve të ONAK-ut në Siri.

Siria ka deklaruar një total prej 1-1.3 tonësh lëndë kimike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA