Referendumi për pavarësinë e Skocisë

27/11/2013 00:00

Qeveria rajonale skoceze publikoi 670 faqe dokument ku argumentohen avantazhet e pavarësisë dhe se cfarë do të përfitojë vendi në rast se e arrin këtë.

Dokumenti, i quajtur “Scotland Future” (Skocia e së nesërmes), u njoftua nga Ministri i Parë skocez, Alex Salmond në Qendrën Shkencore të Gllasgout ditën e martë.

Skocezët do të votojnë në një referendum duke u përgjigjur me “po” ose “jo” pyetjes nëse duan të jenë një shtet i pavarur. Data e referendumit është përcaktuar më 18 shtator.

Lëvizja, që me shumë gjasa do t’i japë fund bashkëjetesës shekullore të skocezëve me pjesën tjetër të Britanisë së Madhe, një bashkëjetesë herë e imponuar me dhunë, herë me dëshirë, konsiderohet historike nga pjesa më e madhe e skocezëve. Megjithatë në radhët e tyre ka nga ata që janë skeptikë.

Kryetarja e laburistëve skocezë, Johann Lamont vuri në dyshim avantazhet e pavarësisë që argumentohen në dokumentin e stërmadh që do t’u shpërndahet qytetarëve.

“Hamendësimi se të jemi të pavarur do të rrisë progresin, është thjesht i pavërtetë. Duhet të përballemi me matematikën e politikës. Në dokument thuhet se qeveria e Skocisë së pavarur do të shkurtojë taksat dhe do të rrisë shërbimet. Kjo s’është e besueshme”, deklaroi zonja Lamont.

Vetë kryeministri britanik, David Cameron ka paralajmëruar disavantazhet e largimit të Skocizë nga unioni. Në takimet me Salmond, Cameron është shprehur se largimi dobëson Britaninë e Madhe në arenën ndërkombëtare, por më së shumti dëmton Skocinë.

Nëse rezultati i referendumit do të jetë një “po”, Skocia shkëputet zyrtarisht nga Britania e Madhe më 24 mars të 2016-ës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB