“Perëndon” epoka Berlusconi

27/11/2013 18:20

Senati Italian votoi në favor të përjashtimit të ish-kryeministrit Silvio Berlusconi nga parlamenti në mënyrë të menjëhershme, në një votim të realizuar pasditen e së mërkurës.

Vendimi i Senatit u motivua nga dënimi i prerë i Berlusconit nga një gjykatë për veprën penale të evazionit fiskal, më parë gjatë 2013-s.

Berlusconi, i cili dominoi politikën italiane për 20 vitet e fundit mund të përballet tani me arrestimin dhe ndjekjen penale në disa çështje të tjera, pasi me përjashtimin nga parlamenti ai humb në mënyrë automatike imunitetin nga ndjekja ligjore.

Në një deklaratë, Berlusconi e konsideroi këtë ditë si një “ditë zie për demokracinë”.

Përpara votimit, 77-vjeçari premtoi se do të mbetet në politikë për të udhëhequr forcën e tij politike, partinë “Forza Italia”, “për të luftuar për të mirën e Italisë”.

Berlusconi i dha mbështetësve të grumbulluar jashtë rezidencës së tij në Romë se “asnjë lider tjetër politik nuk ka përjetuar të njëjtin persekutim që kam përjetuar unë. Kjo është një ditë e hidhur në historinë e vendit”.

Debati në Senat ishte shumë i tensionuar, me dy senatorë rivalë që për pak përfunduan deri në grushta.

Në momentin e votimit, Manuela Ripetti, e “Forza Italia” klithi: “Ju doni vetëm ta eliminoni Silvio Berlusconin”.

Një qëndrim të kundërt mbajti Beppe Grillo, lideri i forcës anti-konformimiste “Cinque Stelle”: “Berlusconi përjashtohet nga Senati. Iku një. Tashmë duhet të zhduken edhe të gjithë të tjerët si ai nga Parlamenti”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA