Mos u fshih pas gishtit!

27/11/2013 00:00

ALTIN BASHA – Kohët e fundit ka nisur një debat në rritje mbi kulturën
shqiptare dhe institucionet që e prodhojnë atë. Ka shumë pakënaqësi të
shprehura nga drejtime të ndryshme në lidhje me cilësinë e artit që
prodhohet dhe përgjegjësinë e institucioneve që e kanë detyrë këtë gjë.
Këtyre zërave u është bashkangjitur dhe Ministria a Kulturës (MK). STOP.

Kjo është një ngjarje e rëndësishme shoqërore. MK u kujtua për kulturën dhe po kërkon përgjegjësi për gjendjen në të cilën ajo është.

Sipas meje gjendemi në një situatë paradoksale.

Ministria e Kulturës i drejton dhe udhëzon të gjitha institucionet e kulturës. Ato janë përgjegjësi ekskluzive e saj. Ajo emëron drejtuesit, përcakton dhe menaxhon buxhetin e tyre.

Me sa duket MK po u hedh seriozisht institucioneve “dorashkën” e sfidës së reformimit.

Në këto kushte më kanë lindur disa pyetje:

A ka MK ndonjë përgjegjësi për gjendjen e sotme të institucioneve të kulturës shqiptare?

A është MK gjithashtu e reformuar mjaftueshëm për ta udhëhequr transformimin e institucioneve dhe kulturës shqiptare?

A i ka mundësitë dhe burimet MK për ta realizuar këtë proces?

Përse nuk është pyetur kurrë komuniteti i artistëve mbi performancën e MK?

Sipas meje, kurrë nuk ka pasur ndonjë mënyrë të qartë vlerësimi mbi cilësitë e stafit të rekrutuar, ku si kudo janë emëruar edhe militantë apo njerëz të pakualifikuar. Të mos harrojmë se në duart e këtij stafi kalon e gjithë përgjegjësia mbi fatin e një artisti, ngjarjeje kulturore, funksionimin e institucioneve etj.

Superstruktura kulturore në Shqipëri është e mbështetur krejtësisht mbi institucionet shtetërore. Duke pasur duar të lira mbi këtë sistem, MK ka mundur të bëjë me siguri shumë më shumë.

Duhet ta pranojmë se institucionet dhe kultura janë thellësisht të politizuara, nuk ka asnjë ndryshim nga të gjitha fushat e aktiviteteve të tjera. Nuk e kam fjalën këtu për aspektin ideologjik. Për fat kjo gjë është tejkaluar, por deri këtu shkon suksesi. Nëse ka një risi në fushën e kulturës ajo është: politizimi i plotë në pikëpamjen e përdorimit të artistëve për fasadë, makijazh ose si presion politik. Më në fund, politika ia doli që ta ngjyrosë dhe ndajë komunitetin dhe institucionet kulturore. Këtë proces e udhëhoqi me sukses Ministria e Kulturës. Shembulli i qartë për këtë janë emërimet politike në Teatrin Kombëtar, të cilat nuk u paraprinë nga ndonjë proces ku kandidatët të kishin mundësi të provonin një garë profesionale me njëri-tjetrin. Rezultati është një trupë e fryrë, joefikase. Mjafton të shikojmë produksionet e viteve të fundit të TK në të cilat raporti i aktorëve të angazhuar tregon se aktorët e brendshëm të TK nuk preferohen nga regjisorët. Në fakt, qëllimi im nuk është një analizë mbi problemet e TK. Qëllimi i këtij shkrimi janë problemet e MK.

Të kthehemi në temë. A ka përgjegjësi MK për këtë proces?

Sa herë ka ndryshime të rëndësishme të MK (kryesisht ndërrim titullarësh) komuniteti mban frymën, në pritje të ndryshimeve që do të sjellë kjo gjë. Interesant është fakti që pas çdo ndryshimi të tillë MK hidhet në sulm ndaj institucioneve, a thua se nuk është MK që i drejton politikat e tyre. Nëse ka diçka që nuk shkon në institucione a ka përgjegjësi MK? Përse MK nuk i kthen më në fund sytë nga vetja? A ka ndërtuar ajo një sistem funksional që vlerëson, stimulon politikat në fushën e kulturës? A do kemi një listë mbi aktivitetet e financuara dhe ku shkojnë paratë e taksapaguesve? A mund ta dimë se sa punonjës ka MK? A mund ta dimë si matet dhe vlerësohet puna e tyre? Sa e ka buxhetin MK dhe si shpenzohet ai? Cili është raporti mes shpenzimeve për projekte dhe shpenzimeve të tjera?

A do ta bëjë MK funksionale Qendrën e Artit? A ka MK të dhëna mbi asetet që disponon? Cilat janë ato? Cila është gjendja e tyre? Si vihen në funksion të komunitetit dhe të publikut? Cila do jetë marrëdhënia e MK me të rinjtë artistë, ndërkohë që politikat për rininë nuk janë më ekskluzivitet i MK?

Ligji i teatrit është punuar të paktën katër herë. Asnjëherë nuk ka rezultuar i suksesshëm, ndërkohë që kostot e paguara (para publike nga taksat e qytetarëve) vetëm për t’u hartuar ligji janë shumë të mëdha. Përsëri përgjegjësia është e MK? A do ketë një herë të pestë?

Një nga problemet më të mëdha në Shqipërinë kulturore është se ndërsa gjërat zhvillohen me shpejtësi rreth nesh, institucionet tona mbeten në vend. Shpesh ka debate mbi çështje të cilësisë së produktit artistik, i cili nuk është i krahasueshëm me produktin europian. Kjo gjë ndodh, sepse jemi pothuajse krejtësisht të izoluar nga ana kulturore. Investimi njerëzor në fushën e artit është zero. Shqipëria ka mbetur një fshat apo provincë e humbur kulturore (jo se nga aspektet e tjera ka përparuar shumë) Asnjë lidhje ose bashkëpunim nuk është mbështetur mbi një marrëdhënie të qëndrueshme, e cila të përcjellë te komuniteti apo tek institucionet një model bashkëkohor konceptimi apo prodhimi artistik. Për fat të keq ky është një nga problemet më madhore që ka kultura jonë sot. Aq i madh është ky problem saqë një pjesë e madhe e komunitetit, për shkak të prapambetjes nuk e kupton se matësi i cilësisë artistike nuk është i njëjtë si në vitet ‘70 etj. Si do të dilet nga ky izolim? A ka MK ndonjë strategji se si do ta kapim kohën? Një Rilindje Kulturore Shqiptare do ta kemi vetëm atëherë kur produkti kulturor shqiptar do të jetë i krahasueshëm me produktin bashkëkohor. Është e domosdoshme të thyhet izolimi dhe kjo arrihet duke siguruar ballafaqime sa më të shpeshta, eksperienca sa më cilësore dhe ekspertizë të kualifikuar si në institucionet e prodhimit (shtetërore apo private) ashtu edhe në ato të edukimit të artistëve. Unë mendoj se nga pikëpamja kulturore sot Shqipëria është më e izoluar se në vitet ’90. Për mediokrizimin kulturor dhe mënjanimin nga zhvillimet bashkëkohore MK ka përgjegjësinë e plotë.

Në kushtet e sotme, produkti kulturor duhet të plotësojë dy elemente thelbësore që të arrijë impakt dhe sukses te publiku i tij.

Së pari, produkti duhet të ketë cilësi të lartë. Institucionet tona ofrojnë shumë pak për arritjen e cilësisë së dëshiruar. Kanë stafe të pakualifikuara (e kam fjalën për stafin teknik), vështirësi të mëdha financiare dhe mediokritet në rritje (e kam fjalën për stafin artistik). Stimuli financiar është qesharak. Honorari për vepër artistike është për t’u tallur (e kam fjalën për artistët e pavarur).

Së dyti, produkti i duhet afruar publikut në kushte dhe mënyra bashkëkohore. Institucionet tona nuk e ofrojnë as këtë. Nuk kanë buxhet për marketing, shfaqjet apo eventet bëhen në salla pa asnjë parametër normal. Nuk kanë as ngrohje në dimër dhe as kondicionim në verë. Sezoni artistik në të gjitha institucionet shtetërore është 8 muaj nga 12, për shkak të kondicionimit. Infrastruktura e sallave është në cilësi mesjetare (ndriçimi, foni, makineritë ndihmëse). Në këto kushte produkti del i cunguar dhe i kushtëzuar nga pengesa të shumta.

A mund të kishte bërë diçka MK në këtë drejtim? Sigurisht që po.

Në 23 vjet histori demokracie në Shqipëri nuk më ka rënë asnjëherë rasti që të dëgjoj për projekte kulturore që në fokus kanë spektatorin dhe edukimin e tij. Si ta kthejmë publikun te salla? Për të gjithë ata, që me optimizëm qesharak thonë se publiku ka nisur të kthehet, po ju them se jemi tepër larg asaj që mund të arrijmë. Vetëm Tirana ka rreth 800 mijë banorë dhe sikur 10% e tyre të ishin konsumatorë të teatrit apo operës, këto institucione do kishin dalë nga kriza me kohë.

A mund të kishte bërë diçka MK në këtë drejtim? Sigurisht që po.

Një tjetër aspekt ku MK ka përgjegjësi është integrimi kulturor mes Shqipërisë dhe Kosovës që sipas meje është një “piramidë” kulturore. Ky integrim nuk bëhet me takime mediatike. As me deklarime mbi kalendarë të përbashkët kulturorë. Ai do fillojë të ekzistojë vetëm atëherë kur MK do deklarojë një buxhet të dedikuar dhe transparent vetëm në realizimin e projekteve të përbashkëta. Takimet dhe konferencat e shtypit ku deklarohet vullneti i mirë e bëjnë qesharak çdo zyrtar dhe përcjellin te komunitetet e artistëve një mungesë të theksuar serioziteti.

Askush dhe asnjëherë nuk ka pasur një platformë të mirëfilltë mbi mënyrën se si mund të stimulohet dhe më pas të zhvillohet alternativa e pavarur kulturore në Shqipëri.

Të gjitha financimet e këtij lloji janë kategorizuar me fjalën “Projekte”. Në thelb kjo gjë sjell mbështetjen e tentativave sporadike dhe të përkohshme pa lënë hapësirë për projektet serioze. Projekte të cilat të kenë një zhvillim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm për t’u kthyer më pas në alternativa të vërteta kulturore.

Pothuajse në të gjitha fushat e artit ekzistojnë vetëm disa iniciativa modeste të pavarura, sa për të thënë se diçka është bërë në këtë drejtim. Ndofta vetëm sa për të vërtetuar se edhe në fushën e kulturës ka ndryshuar sistemi (nga absolutisht i centralizuar në relativisht i centralizuar). Kaq është arritur. Kjo jo prej vizionit të MK, por për shkak të presionit të vazhdueshëm të artistëve që janë jashtë institucioneve shtetërore. Të thuash se do ta mbështesësh alternativën kulturore nuk është garanci që kjo gjë vërtet mund të ndodhë. Kur flitet për artin alternativ duhet pasur parasysh se aty përmblidhen të gjitha burimet profesionale jashtë institucioneve. Ato janë në numër dhe në cilësi më të mëdha se sa burimet e institucioneve shtetërore. Kur flitet për artistët e pavarur duhet folur me seriozitet, shifra, afate dhe projekte konkrete. Si mund të mbështetet arti alternativ kur MK nuk ka vënë në dispozicion të tij as edhe një hapësirë publike? Ky duhet të ishte hapi dhe shenja e parë se MK e ka marrë seriozisht në dorë projektin mbi artin alternativ në Shqipëri.

Biznesi dhe marrëdhënia e tij me kulturën. Nuk kujtoj asnjë tavolinë ku këto dy aktivitete të angazhohen në dobi të njëra-tjetrës. Asnjë hap për të gjetur mundësi dhe forma bashkëpunimi. Nga kjo marrëdhënie mund të gjenerohen burime të rëndësishme për ta rritur cilësinë e produktit kulturor. MK me autoritetin e saj mund ta kishte nxitur shumë kohë më parë këtë proces.

 

Media dhe Kultura

Media është plotësisht e vetëdijshme për rëndësinë e kulturës dhe marrëdhëniet me të janë thelbësore. Nga ana tjetër, për produktin kulturor mbështetja e medias është e një rëndësie jetike. Institucionet kulturore vuajnë nga një marketim i mangët i produktit të tyre. Ai realizohet akoma në mënyrë të vjetëruar dhe buxheti që shpenzohet për këto qëllime është shumë i vogël, ndërkohë që sa më shumë të shpenzohet në këtë drejtim, aq më shumë do kthehet mbrapsht me të ardhurat e biletave. MK asnjëherë nuk ka bërë përpjekje që me mënyra dhe mekanizma të rinj të nxiste këtë marrëdhënie.

 

Universiteti i Arteve dhe MK

Këto dy institucione kanë bashkëjetuar si dy drejtëza paralele. Kurrë nuk ka pasur ndonjë iniciativë për të krijuar një bashkëveprim mes tyre. Rritja e cilësisë së produktit kulturor është thellësisht e varur nga krijuesit e tij, të cilët rriten dhe edukohen në Universitetin e Arteve. Kjo e fundit, natyrshëm asnjëherë nuk ka qenë një institucion krejtësisht universitar. Asetet njerëzore dhe infrastrukturore garantojnë mundësinë e krijimit të një poli shumë të rëndësishëm kulturor. MK kurrë nuk e ka konsideruar këtë gjë si një vlerë që meriton vëmendje. Thyerja e izolimit kulturor duhet të fillojë nga UA për t’u përhapur më pas tek institucionet shtetërore të artit. Themelimi i një partneriteti funksional mes këtyre faktorëve mund të sillte një risi në aspektin e prodhimit kulturor pas përfundimit të procesit të edukimit. Kjo gjë, e theksoj, duhet nxitur nëpërmjet partneritetit, stimulimit dhe nxitjes së resurseve profesionale jo vetëm në drejtim të mësimdhënies që është një detyrë parësore e UA, por të prodhimit artistik. MK të marrë përgjegjësinë për të plotësuar hallkën e munguar mes institucionit të edukimit dhe atij të prodhimit. Kjo hallkë është iniciativa e pavarur kulturore.

Unë prej 20 vjetësh krijoj në kushtet që kam përshkruar më sipër. Jap mësim në Universitetin e Arteve dhe edukoj brezin e ri të aktorëve me shpresën se gjërat një ditë do ndryshojnë. Kam realizuar krijimtarinë time kryesisht jashtë institucioneve shtetërore. Kam kaluar mjaft kohë në korridoret e MK. Shumë herë në pritje që një zyrtar të më japë përgjigje për projektin tim. Kam pritur atë përgjigje derisa zyrtari ka mbaruar së luajturi “Solitarion” në kompjuter. E di mjaft mirë sa durim dhe këmbëngulje duhet për një artist të ri që t’i qëndrojë besnik ëndrrës së tij. Gjithashtu, e di sa pak duhet për ta shkurajuar një krijues. Ndoshta edhe një vështrim.

Pyetjet që shtrova bëhen përditë, sidomos në bisedat e kolegëve të rinj. Nuk është e lehtë që t’i bësh pyetje dhe t’i tregosh përgjegjësitë një institucioni të rëndësishëm si MK. Kush guxon. Të mos fshihemi pas gishtit dhe gjithsecili të marrë përgjegjësitë e tij. Artistët para publikut dhe menaxherët e parasë publike para taksapaguesve dhe artistëve.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA