Champions, Juventus sheh kualifikimin

27/11/2013 00:00

Në ndeshjet e pesta të fazës së grupeve të Champions League, Juventus arrin të fitojë 3-1 përballë Kopenhagen dhe ngjitet në vendin e dytë në grup, duke parë më nga afër fazën tjetër të kësaj veprimtarie.

Ka qenë decizive “tripleta” e Vidal, i cili zhbllokoI ndeshjen falë një 11-metërshi, në minutën e 29. Danezët barazojnë në pjesën e dytë me Mellberg, por shumë shpejt bardhezinjtë përfitojnë një tjetër 11-metërsh dhe e shndërrojnë në gol, sërish me anë të Vidal.

Dy minuta më pas vjen edhe goli i tretë, që vulos gjithçka. Për të kaluar për në fazën pasardhëse, Juventusit do t’i mjaftojë edhe një barazim me Galatasaray-n në ndeshjen e fundit. Skuadra turke është shkatërruar nga Real Madrid, 4-1 në “Bernabeu”.

Edhe pse me 10 lojtarë që nga minuta e 26, kur Sergio Ramos del me kartonin e kuq, në minutat e mbetura epërsia e kundërshtarëve ishte inegzistente. Bale, me një goditje standarde, zhbllokon ndeshjen, ndërkohë që Bulut barazon pas një minute, duke dhënë përshtypjen e një ndeshjeje të vështirë për spanjollët, që e kishin siguruar më parë kualifikimin.

Me fillimin e pjesës së dytë, Arbeloa i jep sërish avantazhin skuadrës së Ancelotti-t, Di Maria çon në 3-1 shifrat, për t’i lënë radhën në fund Isco-s, që shënon edhe golin e katërt.

Ndërkohë, në grupin A, Manchester United ka shkatërruar 0-5 Leverkusen, në Gjermani. Valencia hap serinë e golave, më pas Spahic dyfishon rezultatin, me një autogol, për t’i lënë radhën Evans, Smalling dhe Nani, teksa ky i fundit shënon golin e pestë 2 minuta nga fundi i ndeshjes.

Tashmë “djajtë” e vendit të parë do të mjaftohen edhe me barazimin në ndeshjen e fundit, përballë Shakhtar-it të vendit të dytë, për të mbajtur kokën e grupit. Ndërsa Leverkusen do të shpresojë në ndonjë mrekulli, pasi është vetëm një pikë më pas se Shakhtar i vendit të dytë.

Në grupin D është e mbyllur çështja e kualifikimit me të dyja skuadrat zyrtarisht. Kampionët në fuqi të Bayern-it kanë fituar përballë CSKA-së në Moskë, me rezultatin 1-3. Robben, Gotze dhe Muller janë autorët e golave për kampionët, ndërsa CSKA-ja, me golin e vetëm të shënuar nga Honda, mbyll ëndrrën e kualifikimit, edhe pse do të luajë ndeshjen e fundit në grup për statistikë, me Victoria Plzen të vendit të fundit, i cili në ndeshjen e pestë u mund 4-2 nga Manchester City.

Aguero, Nasri, Negredo dhe Dzeko shënojnë për City-n, që me këtë fitore ngjitet në kuotën e 12 pikëve, duke u kualifikuar si e dyta në grup. Ndërkohë, Paris SG është skuadra e vetme, që siguroi kualifikimin në grupin C, pas fitores 2-1 ndaj Olympiacos.

Ibrahimovic në fillim dhe Cavani në fund të ndeshjes i dhanë fitoren francezëve, që për pak e mbyllën ndeshjen në barazim me grekët, të cilët kishin barazuar përkohësisht me Manolas, në minutën e 80. Në ndeshjen e fundit do të përcaktohet se kush do të kalojë më tej, mes Olympiacos, që pret Anderlecht-in e vendit të fundit, dhe Benfica-s, që pret PSG-në në Lisbonë.

Top Channel