Bahamas, përmbyset varka, 30 viktima haitianë

27/11/2013 01:30

30 emigrantë haitianë u mbytën dhe dhjetra të tjerë u shpëtuan, pasi anija e tyre e mallrave e mbipopulluar u përmbys pranë brigjeve të Bahamasit, në Staniel Cay, bëri të ditur Roja Bregdetare amerikane gjatë së martës.

Fotot dhe videot e publikuara nga roja bregdetare treguan persona të shumtë që mbaheshin mbi pjesë të varkës, që pluskonte ende mbi ujë, ndërsa të tjerë gjendeshin në ujërat e Oqeanit Atlantik duke u mbajtur anëve të varkës.

Rreth 110 persona janë shpëtuar, njofton roja bregdetare. Varka 12 metra e gjatë u përmbys gjatë natës së të hënës, rreth 15 milje detare në jug-perëndim të Staniel Cay, duke i rrëzuar pasagjerët e saj në oqean, tha roja bregdetare.

Forcat Mbrojtëse të Mbretërisë së Bahamasit punuan së bashku me rojet bregdetare amerikane për të shpëtuar të mbijetuarit. Ekipet e shpëtimit nga ajri të rojes bregdetare hodhën ushqime, pajisje të tjera dhe varka ndaj pasagjerëve të anijes, si dhe ngjitën 13 të mbijetuar nga uji në varkë.

Që prej fundit të ditës së martë e deri në mëngjesin e së mërkurës, të gjithë të mbijetuarit u dërguan në Bahamas për trajtime mjekësore, tha zëdhënësi i rojes bregdetare, Mark Barney. Me shumë mundësi, varka do të tërhiqet deri në Bahamas, tha Barney.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA