Serie A, Roma lëshon vendin e parë

26/11/2013 04:10

Nuk ka fitore për Romën dhe aq më pak një rikthim në vendin e parë të Serie A, pas javës së 13-të të kampionatit.

Verdhekuqtë e drejtuar nga Garcia nuk kanë mundur të shkojnë më shumë se sa një barazim pa gola kundër Cagliari-t, në “Olimpico” të Romës, pavarësisht rasteve të panumërta për gol, shtyllës së goditur nga Gervinho dhe mrekullive të portierit sard, Avramov, ndaj gjuajtjeve të Strootman e Maicon.

Ky ishte barazimi i tretë radhazi për romanistët në kampionat, teksa tashmë e shohin Juventusin 2 pikë larg në krye të renditjes.

Fytyrat e futbollistëve romanë, si Ljajic e Castan, në fund të ndeshjes treguan gjithçka mbi një ndeshje “fantazmë” të Romës që, pavarësisht se dominoi nga fillimi e deri në fund të 90 minutave, është detyruar të kënaqet me vetëm 1 pikë të marrë, nga 3 të mundshme.

Një shpërdorim, që rrëzon skuadrën e Garcia-s në vendin e dytë, pas atij fillimi rekord të këtij sezoni, teksa pas këtij barazimi të tretë radhazi, lejojnë Juventusin të jetë përpara të gjithëve.

Një rezultat përfundimtar që “gënjen” mbi atë që ndodhi në fushë, edhe pse duhet thënë se heroi i takimit ishte Avramov, portieri serb i Cagliari-t, autor i të paktën 5 ndërhyrjeve vendimtare, i ndihmuar disi edhe nga fati, kur gjuajtja e Gervinho-s e mposhti portierin, por u ndal nga shtylla.

Top Channel