
Rreziku kryesor për Kosovën, pas strukturave paralele në veri, është
ekstremizmi politik dhe fetar. Kështu thotë një dokument i Ministrisë së
Punëve të Jashtme, i cili pak ditë më parë i është prezantuar
Komisionit parlamentar për Punët e Jashtme nga vetë ministri Enver
Hoxhaj.
Në dokumentin në fjalë, të cilit i referohet e përditshmja “Zëri”, radhiten shqetësimet për një sërë problemesh me të cilat mund të ballafaqohet Kosova në të ardhmen.
Në dokument theksohet se, prirjet ekstremiste në Kosovë nuk do të kenë sukses nëse nuk do të ndihmohen nga faktorë të jashtëm.
“Për këtë arsye ne kërkojmë që të mbajmë marrëdhënie të mira me agjencitë e zbatimit të ligjit me fqinjët tanë të parë dhe me vendet e tjera, të shqetësuara për mundësinë e ekstremizmit politik ose fetar”, thuhet mes tjerash në këtë dokument.
Ndërkohë, zyrtarë të Ministrisë së Jashtme bëjnë të ditur se nga komisioni parlamentar nuk ka pasur asnjë reagim përsa i përket këtij dokumenti.
Top Channel