
Kosova është sërish në fushatë elektorale, tashmë për balotazhin e zgjedhjeve lokale. Në Prishtinë, ku përballen dy forca politike nga opozita, kandidati për kryetar komune nga LDK, Isa Mustafa e nisi fushatën për balotazh me prezantimin e programit për rregullimin e trafikut urban në kryeqytet.
Ai tha se ka planifikuar 12 linja urbane, 16 linja periferike dhe disa linja në komunat fqinje, Fushë Kosovë, Obiliq, Graqanicë, Podujevë dhe Lipjan.
“Ky projekt synon që transporti publik të jetë modern në qytetin e Prishtinës. Synon që të kemi një sistem të integruar të biletave, i cili do të vlejë në çdo udhëtim dhe, po ashtu, që të kemi orare efikase kohore, të cilat do të respektohen nga gjithë subjektet e trafikut urban, përfshirë ata që janë të sektorit publik dhe sektorit privat me të cilët ne do të bashkëpunojmë”, deklaroi Mustafa.
Mustafa premtoi transport falas në Prishtinë për fëmijët nën moshën 6 vjeç, për persona me aftësi të kufizuara, zyrtarë policorë e ushtarakë, invalidë të luftës, pensionistë dhe gjatë Ditës së Pavarsisë së Kosovës, më 17 shkurt.
Kurse 50 % më lirë transportin publik Mustafa ua premtoi veteranëve të luftës, familjeve të dëshmorëve, studentëve e fëmijëve nga mosha 6-12 vjec.
Ndërkohë, rivali i vetëm Mustafës, kandidati i lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti e filloi fushatën me prezantimin e një fletushke llogaridhënëse.
“Të gjitha ato gjëra që i kemi thënë dhe të cilat jemi zotuar, nuk po i quaj as premtime, do t’i prezantoj në një fletushkë të tillë të vogël, të cilën më pas do t’ua dërgojmë qytetarëve që të njohin të gjitha zotimet tona. Do t’i ftojmë banorët e Prishtinës ta mbajnë këtë pjesë të fletushkës me vete dhe të na mbajnë përgjegjës dhe të kërkojnë llogari gjatë 4 viteve të ardhshme të mandatit tonë”, tha Ahmeti.
Ahmeti theksoi se gjatë këtyre ditëve po zgjohen premtime të cilat janë dhënë edhe para 4 viteve e të cilat, sipas tij, në të shumtën e rasteve nuk janë përmbushur.
Nga raundi i parë dy ekonomistët që përballen për Prishtinën u ndanë me një diferencë prej rreth 9 mije votash, ku në avantazh ishte kryetari aktual Isa Mustafa. Fushata për balotazh do të zgjasë 5 ditë në 25 komuna të Kosovës.
Top Channel