Gjykata e Tiranës ka hedhur poshtë duke e konsideruar si të paligjshëm një vendim të kryeministrit Edi Rama për lirimin nga detyra të drejtoreshës së Statistikave, zonjës Ines Nurja.
Gjykata e Tiranës përmes vendimit të saj urdhëron kthimin e menjëhershëm në detyrë të drejtoreshës së INSTAT. Vendimi është komentuar nga Partia Demokratike në opozitë, e cila e ka cilësuar atë si një triumf të drejtësisë kundër arbitraritetit të kryeministrit.
“Edi Rama shkeli ligjin me shkarkimin që i bëri drejtoreshës së këtij instituti dhe Partia Demokratike e denoncoi rastin. Kryeministri në kundërshtim me ligjin dhe me proçedurën urdhëroi lirimin e Nurjes nga detyra dhe zëvendësimin e saj me një tjetër, në një përpjekje për të futur nën kontroll institucionin e të vërtetave, një muaj më parë.
Vendimi i sotëm i gjykatës së Tiranës është një shenjë e mirë dhe shpresëdhënëse kundër revanshit dhe fushatës së spastrimit antiligjor që kryeministri po bën në dëm të administratës prej më shumë se dy muajsh.
Partia Demokratike inkurajon gjykatat që të vazhdojnë pa u trembur misionin e tyre për të bërë drejtësi dhe për të mos lejuar qeverinë e vendit të shkelë ligjin, të drejtat e qytetarëve dhe dinjitetin e tyre human”, thuhet në deklaratën e PD.
Top Channel